VLORE– Detaje të reja kanë dalë në dritë nga operacioni blic i policisë në Babicë të Vlorës mbrëmjen e djeshme, ku u gjetën 4.5 ton drogë. Gazetari Enrik Mehmeti ka shkuar sot pranë banesës ku i gjet lënda narkotike, një vilë 2-katëshe, e ndërtuar në një zonë të thellë, ku gjithsej numërohen 5 shtëpi.

Pas aksionit të policisë, dhe sekuestrimit të lëndës narkotike, situata duket e qetë, dhe të vetmit që hyjnë në banesë, janë të afërmit e Armand Koçerrit.

Mësohet se rreth 70 efektivë të Delta Forcë dhe të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, u angazhuan për sekuestrimin e lëndës narkotike në Babicë.

Lënda narkotike ka qenë e fshehur në katin e parë të vilës 2-katëshe. Mësohet se aksioni i policisë ka qenë i befasishëm, pasi nuk i është dhënë informacion as policisë së Vlorës.

Droga u kap pas një hetimi disamujor, dhe mësohet se deri më tani është arrestuar një person dhe janë shoqëruar dy të tjerë.

Gazetari Enrik Mehmeti, nga banesa ku u gjet lënda narkotike, thotë se deri më tani nuk jepen informacione të detajuara mbi arrestimet.

Ai thotë se rruga për të shkuar deri në banesën e Armand Koçerrit është e vështirë, dhe duhet një mjet i lartë për të mbërritur aty. Gazetari Enrik Mehmeti thotë se në këtë zonë janë rreth 5 shtëpi, ku banojnë persona të afërt me njëri-tjetrin.

Mësohet se vila është e rrethuar me sistem alarmi dhe sigurie. Ende nuk bëhen të ditura informacione të detajuara mbi këtë operacion, ndërsa as vetë familjarët e Armand Koçerrit, nuk kanë dashurë të prononcohen.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb