SHIJAK-“BalkanWeb” mëson detaje të tjera lidhur me atentatin që iu bë sot biznesmenit nga Shijaku, Dashamir Gjoka. Raportohet se mjeti i tij i blinduar, brenda të cilit udhëtonte Gjoka me gruan dhe fëmijët e tij, u qëllua nga një makinë tjetër që ecte paralel.

Fill pas atentatit tek ‘4 rrugët e Shijakut’, Gjoka është nisur drejt komisariatit të policisë për të dhënë dëshminë e tij mbi ngjarjen. Ndërkohë, nga të shtënat fatmirësisht nuk pati të lënduar. Policia ka nisur hetimet për identifikimin e autorëve, të cilët u larguan menjëherë nga vendngjarja.

Dashamir Gjoka, person me precedentë të mëparshëm penal nuk është një emër i panjohur për policinë, pasi ndaj biznesmenit është e hapur një çështje për pastrim parash, ndërkohë që prokuroria i ka sekuestruar pasuritë. Organi i akuzës filloi hetimin pasuror, në kuadër të ligjit të njohur si “Antimafia”, pas dyshimeve se Gjoka i kishte krijuar pasuritë në bazë të të ardhurave të krijuara nga aktiviteti kriminal që ka kryer në Itali.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb