TIRANE- Met Kanani ose i njohur ndryshe si “Met shqiptari” është baroni i drogës i cili u kap gjatë një operacioni të madh antidroge në Turqi ku u sekuestruan 1.1 ton kanabis.

Media turke “Hurryiet” shkruan se pas hetimit 6 muaj policia arriti në përfundimin se droga mbërrinte në Turqi nga Shqipëria nëpërmjet Met Kananit.

Sipas informacioneve të policisë turke, kjo sasi e madhe droge do të transportohej në kryeqytet, Stamboll, e nga ku më pas do të shitej.

Megjithatë kjo nuk është hera e parë që Met Kanani vihet në shënjestrën e autoriteteve të huaja. BalkanWeb mëson se Metit i është vënë nga pas më 29 nëntor të vitit të kaluar policia greke, por pa mundur ta kapë.

Në një operacion që u ngjan filmave aksion, helikopterët e policisë fqinje gjëmuan gomonen me kanabis nga ajri duke shkëmbyer edhe të shtëna armësh. Por pasi benzina u mbaroi trafikantët u dorëzuan e kështu autoritetet helene sekuestruan 1.6 ton kanabis. Megjithatë “koka” e grupit, Met Kanani, nuk mund të kapej.

BalkanWeb raporton se Kanani kishte në dorë rrugët ballkanike të trafikimit të drogës. Në nëntor në pranga ra biznesmeni grek Spiros Kardamis, i cili financonte grupin e Kananit. 63-vjeçari grek ishte një nga njerëzit kryesorë të historisë, ai që blinte gomonet për llogari të mafies shqiptare dhe i pagëzonte si turistike për të mos u dyshuar nga policia. Atëherë droga u ngarkua në Shqipëri, përmes Korfuzit u fut në Greqi, do kalonte në Peloponez e do shkonte në plazhet e Stambollit.

 (e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: