TIRANE– Një ditë pas grabitjes të thasëve me para të një banke të nivelit të dytë, që po transportoheshin drejt Rinasit me dy autoblinda, “News 24” është kthyer sërish në vendngjarje. Ende dallohen qartësisht shenjat e frenimit të mjeteve, në segmentin Rinas-Qafë Kashar, ku ndodhi grabitja.

Gjatë vëzhgimit në vendngjarje, grupi i xhirimit të “News 24” ka mundur të gjejë një gëzhojë, e cila me sa duket i ka shpëtuar syrit të ekspertëve. Në komunikatën e saj zyrtare, policia ka thënë se në vendngjarje janë gjetur 13 gëzhoja, por kjo gëzhojë e gjetur tregon se kanë qenë 14 të tilla.

Gazetarja Dorjana Bezat, nga vendngjarje ka treguar edhe njëherë skemën sesi mendohet të ketë ndodhur ngjarja.

Dy makina blind të përshtatura për transportimin e parave, po lëviznin drejt Rinasit, por në kryqëzimin e Laknasit nga një rrugë dytësore i janë afruar dy makina, dhe njëra prej tyre është përplasur me blindin e parë. Pas kësaj persona të armatosur kanë dalë nga makinat dhe kanë arritur të marrin thasët me para. Me sharrë elektrike kanë mundur të çajnë blindin e parë, dhe më pas kanë hapur kasafortën.

Policia ka ndaluar 5 punonjësit e policisë, ndërsa ditën e sotme është shoqëruar edhe punonjësi i sigurisë teknike të transportimit të parave të bankës së nivelit të dytë.

Menjëherë pas raportimit të “News 24”, në vendngjarje kanë mbërritur edhe forcat e policisë për të sekuestruar gëzhojën e gjetur.

policia-merr-gezhojen-e-news-24-grabitja-ne-rinas

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb