TIRANË- Detaje të reja zbulohen nga operacioni “One If – By Land” kundër grupeve kriminale që trafikonin klandestinë me pasaporta false për në Angli, SHBA dhe Kanada. Mes 39 personave të arrestuar, janë edhe 4 punonjës të policisë të Hanit dhe Hotit dhe të Qafë-Thanës që akuzohen për shpërdorim detyre:
Çelnik Maksuti, 53 vjeç, me detyrë kontrollor në P.K.K. Qafë Thanë.
Ilir Ismaili, 32 vjeç, me detyrë kontrollor në P.K.K. Qafë Thanë.
Erjon Maxhari, 28 vjeç, me detyrë kontrollor në P.K.K. Qafë Thanë.
Gjokë Ujkaj, 46 vjeç, me detyrë kontrollor në P.K.K. Hani i Hotit Shkodër.

Gazetarja Dorjana Bezat raporton për “BalkanWeb”, se policët kufitarë paguheshin nga 7 grupet kriminale që të mos i kontrollonin dokumentet klandestinëve në pikat e kalimit kufitar si edhe të mos i regjistronin në sistem.

Po kështu mësohet se dy shtetasit me shtetësi dhe kombësi bullgare të cilët janë shpallur në kërkim mundësonin infrastrukturën që realizonte falsifikimin e dokumenteve.

Ndërkohë SHÇBA ka arrestuar edhe nje punonjës policie, Adriatik Bakiasi, të akuzuar për dekonspirim të operacionit, pasi dyshohet se njoftoi një pjesë të grupeve kriminale se do të arrestoheshin.

Deri më tani janë arrestuar 39 shqiptarë, ndërsa 12 të tjerë janë shpallur në kërkim. Mega-operacioni u finalizua të shtunën nga Policia e Shtetit, ndërsa u prenë lidhjet e shqiptarëve me 7 grupe kriminale që vepronin në të gjithë Europën.

Nga operacioni u mësua se shqiptarët paguan 7 mijë paund për të shkuar në Angli dhe 25 deri në 30 mijë dollar për të shkelur në Kanada dhe SHBA.

Për shkatërrimin e kësaj linje, siç bën me dije edhe polica shqiptare rol vendimtar kanë luajtur edhe 2 agjentët speciale të Shërbimit Diplomatik të Sigurisë së Departamentit Amerikan të Shtetit, të atashuar pranë ambasadës së SHBA-ve në Tiranë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb