Një sasi prej 10 tonësh kanabis është sekuestruar mbrëmjen e djeshme në një vilë në fshatin Babicë të Vlorës.

Operacioni është drejtuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda që po hetonte prej një viti në lidhje me trafikun e mundshëm të narkotikeve. Hetimet janë zhvilluar nga prokurorët e Krimeve të Rënda, pa përfshirjen e policisë lokale.

Mbrëmjen e djeshme, pas urdhrit për të ndërhyrë, prokurorët që drejtonin hetimet kanë kërkuar që të nisen shërbimet e Policisë së Vlorës drejt adresës që ata kishin nën hetim. Aty janë gjetur thasët me tonelata drogë, që sipas burimeve konfidenciale u përkasin vëllezërve Habilaj.

Ishte ish-kryeministri Sali Berisha që publikoi një video të operacionit, që sipas tij ishte zhvilluar në shtëpinë e shtetasit Armand Koçerri, mik i Habilajve. “Në Babicë kapen 10 tonë drogë të klanit Rama – Tahiri! Qytetari dixhital denoncon: ‘Mirëmbrëma doktor. Në Babicë e vogël sapo është kapur rreth 10 tonë drogë në shtëpinë e Armand Koçerrit, mik i Habilajve. Vila e personit e ruajtur me kamera dhe sistem sigurie’”, shkruan Sali Berisha në Facebook.

OPERACIONI

Mbrëmjen e së martës, kryeprokurori Adriatik Llalla zhvilloi një takim me prokurorët e Krimeve të Rënda, të cilët kishin në dorë një hetim 1-vjeçar që lidhej me trafikun e lëndëve narkotike nga Vlora në drejtim të Italisë.

Burimet thanë se Llalla ka kërkuar që të veprohej në finalizimin e këtyre hetimeve, nisur edhe nga arrestimet e fundit të kryera në Sicili të Moisi Habilajt e dy shqiptarëve të tjerë. Një ditë pas këtij takimi, u zhvillua edhe operacioni në Vlorë, ku u sekuestruan 10 tonë kanabis.

Policia e Shtetit konfirmoi arrestimin, duke deklaruar se hetimet dhe veprimet janë kryer nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Ndërsa në vendin ku u gjet sasia e drogës vijojnë veprimet procedurale, si dhe peshimi i sasisë së konsiderueshme të drogës që u gjet aty. Paraprakisht dyshohet të jetë 10 ton, por ende nuk është përcaktuar pesha e saktë./panorama

(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: