Emirjon Nikja është 21-vjeçari që u arratis nga dritarja e katit të dytë të komisariatit të Pukës ndërsa priste për t’u transferuar për në Shkodër.

Teksa përgatitej dokumentacioni për transferimin e tij në dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Policisë Shkodër, i arrestuari, banues në lagjen “Don Bosko” në Tiranë, ka arritur të heqë me forcë hekurat nga dritarja dhe është hedhur.

Inspektorët e policisë po përgatisnin makinën me të cilën do të kryenin transferimin kur i riu u arratis. Në një kohë të shkurtër, Nikja hoqi hekurat e dritares të komisariatit të vendosura për të parandaluar arratisjet. Më pas,ai ka arritur të dalë nga ambientet e komisariatit pa tërhequr vëmendjen e asnjë punonjësi policie, shkruan Panorama.

Arrestimi i tij erdhi pasi më datë 24 gusht 2017 ka bërë kallëzim në polici shtetasi M. N., banues në Vaun e Dejës, por që prej vitesh jeton si emigrant jashtë vendit, i cili ka deklaruar se në Gomsiqe, Pukë, ndërsa ka qenë duke udhëtuar me automjetin e tij, ka ndaluar për të marrë një person që nuk e njihte për ta ndihmuar pasi po lëvizte në këmbë.

Por, gjatë rrugës i riu i ka marrë me forcë portofolin, në të cilin kishte dokumentet, rreth 250 euro dhe 1500 lekë.

Për kapjen e tij, u nisën në drejtim të Pukës 6 grupe të FNSH-së, si dhe forca të shumta nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër. Pavarësisht se u ngritën pika të shumta kontrolli dhe u njoftua Drejtoria Vendore e Policisë Kukës e Lezhë, si dhe Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër e Kukës, nuk është gjetur ende asnjë gjurmë e 21-vjeçarit në arrati.

(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb