DIBER- Mësohen të tjera detaje nga ngjarja e rëndë e ndodhur këtë mëngjes në Dibër, ku 42-vjeçari Alban Kaloshi u dërgua i vdekur në spital. Policia e Dibrës thotë se po punon intensivisht për të zbuluar identitetin e dy personave që e dërguan Kaloshin të pajetë në urgjencën e spitalit dhe u zhdukën më pas.

Ndërsa eksperti mjeko-ligjor që këqyri trupin e viktimës tha paraprakisht se vdekja i ka ardhur nga një plumb në kraharor, policia ka sekuestruar telefonin e viktimës aty ku shpreson të gjejë ndonjë gjurmë, që të çojnë tek motivet e vrasjes së tij, apo autorët e mundshëm.

Grupi hetimor ka nisur sakaq edhe shoqërimin e personave me të cilët dyshohet të jetë shoqëruar dibrani gjatë orëve të mbrëmjes.

Kujtojmë se ai u dërgua sot rreth orës 03.30 të mëngjesit në urgjencën e Spitalit Rajonal pa shenja jete, ndërkohë që policia nuk e ka ende të qartë nëse bëhet fjalë për vrasje, apo për një ngjarje aksidentale.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb