Nga: Andrea CARUGATI

Kantautori italian, fitues i festivalit të Sanremos, Fabrizio Moro ka qënë mes protagonistëve të fushatës evropiane të 2014 me Beppe Grillo dhe Gian Roberto Casaleggio në sheshin ‘San Giovanni’ në Romë, shkruan e përditshmja italiane ‘La Stampa’.

Është për t’u çuditur që nga Sanremo na ka shpëtuar një detaj i vogël: fituesi Fabrizio Moro është një mbështetës i Beppe Grillos, ose më mirë, ka qënë një nga protagonistët e partisë politike ‘Movimento 5 Stelle’ në një nga mitingjet më të mëdha në sheshin ‘San Giovanni’ në Romë.

Megjithëse më pak i famshëm, të paktën deri dje, se aktori Claudio Santamaria – Fabrizio Moro në fushatën evropiane të 2014 ishte mes protagonistëve të fushatës në Romë, me Beppe Grillo dhe Gian Roberto Casaleggio. Madje edhe në atë rast foli për veten: jo për angazhimin kundër terrorizmit që e shtyu drejt fitores këtë vit por për një fyerje nga skena (të përsëritur disa herë) ndaj Presidentit të Republikës italiane të asaj kohe Giorgio Napolitanos.
“I shpifur Napolitano, jo politikani, por njeriu”, ishte kjo shprehja e Moros që në atë kohë nuk ishte një djalosh i ri por një zotëri 39 vjeçar, me një karrierë jo shumë të njohur. Dhe fjalët e tij ranë në sy jo shumë për kritikën ndaj Kreut të Shtetit por për faktin që kishte fyer personin.

Ishin ditët e polemikave të partisë ‘Movimento 5 Stelle’. Beppe Grillo, në rast fitore të partisë së tij në zgjedhjet evropiane, kërcënonte me manifestime para rezidencës së presidentit italian, kundër “një presidenti të delegjitimuar, pa asnjë bazë shoqërore dhe politike”.

“Më mirë Pinoçeti sesa treshja Napolitano-Renzi-Berlusconi” shprehej Grillo në atë kohë.

Kjo ishte atmosfera e asaj kohe. Dhe Fabrizio Moros, i cili kishte fituar një lloj fame si këngëtar në vitin 2007, i lind mendimi gjenial: merr një nga këngët e vjetra të 2008, ‘Gastrite’, e panjohur për shumë njerëz, dhe ndryshon një varg për të shprehur fyerjen ndaj Napolitanos.
Gjëja më e çuditshme është se vargu origjinal, i shkruar dy vite pas zgjedhjes së Napolitanos, thotë “vlerësoj Napolitanon, jo politikanin por njeriun”.

Por në sheshin e Romës në 2014, Moro ndryshoi versionin origjinal. Kënga e tij ‘Gastrite’ tregon historinë e një personi të pasigurt që ‘fle pak’ dhe të dashurës së tij mund t’i japë vetëm dashuri.

“Më mungojnë Bettino dhe vitet ’80” këndon Moro në versionin origjinal. “Dua një të ardhme!”

Le t’i lëmë mënjanë mitingjet në sheshet e Grillos, dielli i së ardhmes është materializuar me këngën mbi masakrat që kanë përgjakur Evropën dhe që fitoi Sanremon. Përveç akuzave të plagjiaturës, ndoshta duhet të pyesim se cili është mendimi i vërtetë i Fabrizio Moros, i cili mbi politikën shfaqet shumë konfuz dhe dëshiron të duket i angazhuar dhe i indinjuar. Por ndoshta këtë herë ja vlen ta besojmë. Të paktën deri në mitingun në sheshin e ardhshëm.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: