Të gjithë i kemi provuar dhimbjet e kokës, pavarësisht se si mund të kenë qenë ato. Natyrisht paracetamoli dhe pirja e ujit i lehtësojnë, por ka edhe disa mënyra të tjera, natyrale që ju ndihmojnë. Bëni masazh Masazhoni dorën në pjesën mes gishtit të madh dhe gishtit tregues, me lëvizje rrethore. Vazhdoni disa minuta në njërën dorë e pastaj kaloni në dorën tjetër. Kjo është një nga zonat që përkon me pjesën e kokës, ku fillojnë dhimbjet që ndjeni. Një lloj tjetër masazhi është ai në zonën e tëmthave, gjithnjë në mënyrë rrethore.

Ndihmon për të rritur qarkullimin e gjakut dhe për të ulur tensionin. Kompresat e ftohta dhe të ngrohta Kur ndjeni një dhimbje pulsuese, vendosni mbi ballë një pecetë të ftohur më parë, ose një qese me perime të ngrira, të mbështjellë me një pecetë. E ftohta i shtrëngon enët e gjakut dhe ato duke u mbledhur, nuk prekin receptorët e ndjeshmërisë. Me këtë teknikë, ju mund edhe t’i paraprini një dhimbjeje të fortë, që e ndjeni se mund t’ju kapë së shpejti.

Në rast se dhimbja është shtrënguese, vendosni në qafë një pecetë të ngrohur më parë e në të njëjtën kohë, zhysni këmbët në ujë të ngrohtë. Vajrat aromatikë Aromat e ndryshme e sidomos ato të livandës apo të mentes ju ndihmojnë të qetësoheni e të çlironi tensionin, apo stresin e grumbulluar gjatë ditës. Hidhni disa pika vaj mbi ballë, masazhojini lehtë dhe, nëse mundeni, shtrihuni në një ambient të freskët, të qetë e të errët.

Për një zgjidhje më të shpejtë, merrni 2 qese me çaj menteje, lagini dhe shtrydhini nga uji i tepërt. Më pas vendosini mbi ballë, apo mbi qepallat e syve. Mbajini për 5 minuta. Ndihmon për t’u qetësuar dhe për të çliruar tensionin.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: