Nëpërmjet një komunikate, Federata Shqiptare e Futbollit ka bërë publik qëndrim zyrtar për incidentin e ndodhur në ndeshjen e Kategorisë së Dytë mes Përmetit dhe Këlcyrës. Futbollistët mik sulmuan në minutën e 80-të gjyqtarin fierak Alvi Paco, pas akordimit të një 11-metërshi në favor të Përmetit.

Ja çfarë shkruan FSHF në faqen zyrtare:
Federata Shqiptare e Futbollit dënon të gjitha aktet e dhunës në fushën e lojës gjatë ndeshjes Përmeti-Këlcyra në drejtim të arbitrit të ndeshjes, akte të humbjes së një gjakftohtësie ekstreme dhe tërësisht të panevojshme të lojtarëve për vendimet arbitrare. Këto janë akte të dënueshme dhe tërësisht të papranueshme. FSHF po e ndjek me shumë intensitet një ngjarje të tillë dhe inspektorët dhe zyrtarët e saj po mbledhin të gjitha provat dhe informacionet e nevojshme për të paraqitur një relatim të plotë dhe për të zbardhur tërë ngjarjen në atë ndeshje.

FSHF dënon me shumë forcë të tilla fenomene që kishin kohë që ishin evituar, por siguron se komisionet do të marrin në një analizë të thellë këtë rast aspak “fair” dhe mëse ekstrem. Të tilla ekspozime dhune dhe gjaknxehtësie ekstreme janë tërësisht të dënueshme dhe nuk i përkasin frymës fair në futboll dhe do të marrin përgjigjen e duhur sipas të gjitha dispozitave që parashikon Kodi i Drejtësisë Sportive.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb