Nga: NDRIÇIM MEHMETI *

Ndërsa të gjithë mësuesit ishin mbërthyer nga ankthi i testimit, mjaftoi një video amatore që të ngrinte furtunën në një gotë uji për ta. Një mësuese ishte filmuar duke i shkulur veshin nxënësit. Sapo doli në internet, vërshuan njerëzit që dinë dhe nuk dinë nga arsimi të lëshojnë një batare, me sharje, akuza dhe etiketime mbi mësuesit. Për të dalë nga situata, Ministria e Arsimit në panik e sipër, urdhëroi pezullimin e mësueses, sapo prokuroria e rrethit gjyqësor përkatës, kishte hapur çështjen penale ndaj mësuesit. Natyrisht që nuk kam aspak ndërmend të merrem me rastin në fjalë. Lajmet kontradiktore që dalin dita-ditës, mungesa e informacionit prej MAS, drejtorisë së shkollës dhe drejtorisë së njësisë arsimore vendore, ku ka ndodhur incidenti i pretenduar nuk na japin mundësi të kemi një panoramë të qartë të asaj që ka ndodhur. Por a kemi një panoramë të qartë të dhunës dhe pasigurisë së shtuar në shkollat tona? Natyrisht që po. Edhe pse duam të ishte e kundërta. Faktet janë kokëforte. Një i nxënës i vrarë në Sukth, një nxënëse e plagosur me plumb në kokë në rrethinat e Vlorës, dy nxënës që ishin dhunuar sistematikisht po në Vlorë, duke i fikur cigaret në krahë, një nxënës që shëtit me pistoletë një nga shkollat më të mira të Tiranës, nxënës i plagosur me kaçavidë në Mallakastër, nxënës të përfshirë në shere masive në dy nga shkollat e mesme më të mira të Tiranës dhe ndër më të mirat e Shqipërisë për vitin 2014. Lista është edhe më e gjatë, harta e dhunës më e gjerë dhe reagimi thuajse i papërfillshëm. Për kundërpeshë ose për të thënë më mirë, për kashirllëk, ndërsa fëmijët rrihen me njëri-tjetrin, pa përjashtuar edhe raste të rralla të dhunës nga mësues, Ministria e Arsimit trajnon drejtuesit e shkollave dhe punonjësit e saj për shkollat komunitare! Është e padëgjuar që deri më sot nuk kemi një hartë, një studim apo edhe të dhëna të pjesshme, se ç’po ndodh me dhunën në shkollë. Nuk dimë se cilat janë shkaqet që kemi thellim të fenomenit të dhunës e pasigurisë sesa minimizim të saj. Në mungesë të këtij informacioni na jepet mundësia vetëm të spekulojmë mbi arsyet pse ka dhunë, cili është burimi, çfarë mund të bëjë shkolla, qeveria, ministria përgjegjëse, pushtetit vendor, OJF-të etj. Ministria reagoi ashpër dhe menjëherë ndaj mësueses pa e ditur kush është fajtori, ndërsa për mësuesin e shtrirë në tokë në shkollën e Korçës nuk dimë asgjë. Është bërë zakon që sa herë ndodh ndonjë incident, qeveria pa ditur, pa u informuar e madje në kundërshtim me ligjin merr masa të menjëhershme ndaj atij që i vishet faji. Në këtë rast që të gjithë justifikohen se “ju përgjigjëm menjëherë ngjarjes” dhe këtu mbaron gjithçka. Më pas ka ndonjë emision televiziv, ku pjesa më dërmuese e të ftuarve nuk e njohin problemin dhe flasin qesim. Kur ndodh përsëri i njëjti problem, ndodh rituali i njëjtë. E vetmja gjë që mungon në të gjitha rastet është një analizë gjithëpërfshirëse për ngjarjen. Faktorët e dhunës dhe pasigurisë për nxënësit në shkolla, ose njihen përciptazi, ose janë të gjitha të njëjta: “Facebook”-u, femrat, mësues të dhunshëm, komuniteti që ndikon mbi sjelljen e ashpër të nxënësve, përdorimi i lëndëve narkotike dhe alkoolit. Më pas për t’i vënë kapak dhe që askush të mos ketë asnjë përgjegjësi, konkluzioni është: E tillë është e gjithë shoqëria jonë. Natyrisht që të gjithë faktorët e mësipërm, të veçuar ose në grup, nuk e përjashtojnë njëri-tjetrin, por është e pamundur që të jenë të njëjta për të gjitha ngjarjet. Ajo që është më e vërtetë, është fakti se pakkush është kujdesur dhe kujdeset të japë disa përgjigje të qarta e të vërteta për atë që ndodh. Shkolla ndihet e pasigurt, për sa kohë prindërit do të qëndrojnë larg saj, indiferentë apo më keq akoma, të kërkojnë gjithçka prej shkollës. Shkolla do të mbarsë dhe shpërthejë dhunën për sa kohë mësuesit ndërrohen çdo tre muaj dhe drejtuesit katër herë në vit. Nxënësit do të shfaqin të gjithë potencialet e tyre në artet parciale, derisa t’i jepet udhë projektit të famshëm, që i fashit të gjitha dilemat e dhunës dhe pasigurisë “Shkolla komunitare”. Në jo pak raste, shkolla nuk konsiderohet si vendi më i pëlqyer për nxënësit dhe kjo nuk është analizuar deri më sot asnjëherë me seriozitetin e duhur.
Nxënësi do të ndjehet i fuqishëm, përderisa një provokim i tij, videoja, apo denoncimi te drejtori i shkollës flak në rrugë mësuesin dhe beson vetëm nxënësin. Nxënësi nuk do ta vrasë shumë mendjen, se mund të ndëshkohet, pasi mësuesi nuk ka ç’i bën, as e përjashton dot, as e ngel dhe as mund t’i afrohet, pasi të gjitha këto veprime përfshihen në dhunën verbale dhe psikologjike, çka dëmton rëndë personalitetin, psikologjinë, ndjeshmërinë e nxënësit etj. E ndërsa nxënësi është i lirë në punën e tij, Ministria e Arsimit i ka vënë detyrë vetes të realizojë me shpejtësi tre objektiva madhorë: Demotivimin, depersonalizimin dhe shkatërrimin e dinjitetit profesional e njerëzor të mësuesit. Një mësues më shumë apo më pak i akuzuar me të drejtë apo jo nga nxënësit, nuk ka shumë rëndësi. Gjejmë nga portali dhe lisat shumemërore e partive mësues sa të duash. Zbatimi i ligjit? E pse duhet ta bëjnë?! Për të shuar përgjegjësinë që ka MAS dhe çdo dyshim të opinionit publik, këtij të fundit i hodhën në prehër mësuesin, për ta masakruar. Ministrja shkoi edhe më larg, kur deklaronte se “Në bashkëpunim me Drejtorinë Arsimore Rajonale dhe Policinë e Shtetit verifikuam ngjarjen që shfaqet në video”. Ministrja e Arsimit dhe strukturat vartëse të MAS kanë për detyrë të bëjnë kallëzimin penal në rastin më të mirë, por nuk kanë asnjë tagër të verifikojnë ngjarjen, mbi prova që administrohen, ruhen e përdoren vetëm nga Policia e Shtetit dhe Prokuroria. Po aq i paligjshëm është deklarimi se: “Pas verifikimit, Drejtoria Arsimore e Qarkut Shkodër dhe drejtoria e shkollës ka pezulluar menjëherë nga detyra mësuesen si dhe është bërë kallëzim pranë organeve përkatëse”. Neni 60 i ligjit 69/2012 nuk njeh raste pezullimi, por largimi të mësuesit. Pra, pezullimi nuk është parashikuar në asnjë akt nënligjor. Po kështu në kreun II pika 1/c, të udhëzimit nr. 56, datë 12.11.2013 të firmosur prej ministres Nikolla, thuhet: “Drejtori e largon mësuesin nga institucioni publik në rastet e shkeljeve flagrante, ose kur ka një vendim të formës së prerë, në ngarkim të tij nga organet kompetente për rastet e mëposhtme: c)ka ushtuar dhunë fizike ndaj nxënësve ose personelit të institucionit”. Në rastin në fjalë organi i akuzës është deklaruar për procedim penal në gjendje të lirë, por pa ngritur ende akuzën. Pra ministrja ka dhënë pretencën, ende pa u gjykuar çështja dhe pa u servirur provat. A është ky një rast i pastër i dhunimit të së drejtës së mësueses për t’u prezumuar e pafajshme, derisa të jepet një vendim i formës së prerë ndaj saj? Dhe këtë dhunë nuk e ka ushtruar ndonjë njeri dosido, por vetë ministrja e Arsimit, znj. Nikolla. A ishte dhunë ndaj mësuesve, kërkesa urgjente në fund të vitit për të paraqitur vërtetimet për pagesat e energjisë, çka nuk përshkruhet në asnjë akt nënligjor si detyrim i tyre ndaj MAS? A është dhunë e hapur psikologjike, kërcënimi ndaj mësuesve, o hajdeni në testim, ose ju flakim në rrugë.
Po aq i rëndësishëm është debati për pasigurinë në shkollë, që nuk vjen vetëm prej dhunës. Nxënësit konsumojnë ushqimet që i ofrohen në hekurat, apo ndonjë dritare e hapur enkas nga tregtarët në rrethimin e shkollës. Masa e marrë që në tetor për mbylljen e dyqaneve dhe pikave të shitjes brenda shkollës, me një qarkore të znj. Nikolla, gjalloi një treg fitimprurës për shitësit ambulantë në bashkëpunim me drejtuesit e shkollave. Por edhe për këtë fakt askush nuk flet e askënd nuk shqetëson. Ndonëse ndodh në sytë tona, në dëm të fëmijëve tanë, askush nuk guxon t’i thotë ‘ndal’ këtij fenomeni. Natyrisht, kur të ndodhë që të helmohen fëmijët (dhëntë Zoti të mbetet vetëm konstatim), atëherë me siguri, policia dhe ministrja do të dalin së bashku të na tregojnë se kë arrestuan, por jo të pranojnë shkakun e vërtetë të ndodhisë.
Dhuna dhe pasiguria e ka zanafillën prej burimit, e kur zbret poshtë, mos prit që të shterojë. Nga një curril e vogël në dukje e padukshme, rrugës ajo mbledh e bashkon rrëketë e pakontrolluara, që së bashku me zallin dhe drunjtë cung të fshehur, e që i shpëtojnë çdo furtune, zbresin me vrull e dhunshëm në fushë e shkatërrojnë gjithçka në emër të rilindjes së tokës pjellore.

 

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: