Edicioni i kaluar në futbollin e luajtur në stadiumet shqiptare u karakterizua nga një problematikë masive të trajtimit të tifozëve dhe sportdashësve nga forcat e rendit. Jo vetëm kaq, por kjo gjë u has edhe këtë vit në ndeshjen Tirana-Iliria duke e rikthyer në pah si një detaj të harruar të organizimit nga të gjithë aktorët e përfshirë, nga FSHF, klubet dhe grupimet e tifozërisë por edhe forcat e rendit.

Nga takimet e përfaqësueses, sjelljet e policisë në përballjen Kukësi-Partizani në Kukës dhe atë në “Elbasan Arena” mes Partizanit dhe Skënderbeut dhe shumë e shumë raste u kaluan pa marrë asnjë masë në favor të zgjidhjes së problematikës. Aq më tepër, kur dihet se në Shqipëri nuk ka huliganë. Po organizatori i garës çfarë mase ka ndërmarrë?

TIFOZËT
Gjithkush duhet të jetë i qartë që në futbollin shqiptar nuk ka huliganizëm. Pavarësisht organizimeve masive nga grupimet e tifozërive, të cilat kanë shkaktuar heraherës edhe probleme në stadiume apo qytete të ndryshme, nuk kanë arritur që të bëhen protagonistë në aspektin negativ për të marrë mbi vete petkun e huliganëve.

Në këtë sens, ka vend për të riparë edhe një herë sjelljen që u bëhet sportdashësve dhe tifozëve nga forcat e rendit. Për të mos justifikuar sjelljen e gabuar të tifozëve, për hedhjen e sendeve në fushë apo veprimet e tjera të ndaluara, krahas situatave të përsëritura një vit më parë, kambana e alarmit ra në ndeshjen e parë të sezonit të ri Tirana-Iliria.

5 ultras bardheblu janë duke u gjykuar në gjendje të lirë dhe policia njofton zyrtarisht se ndalimi i tyre është bërë për dy shkelje: “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik” dhe “Prishje e rendit dhe qetësisë publike”. Në këtë moment, federata e futbollit si organizatore e garës, si dhe vetë forcat e rendit dalin “zbuluar” dhe kapen në faj.

RREGULLAT

Ndonëse në Federatën Shqiptare të Futbollit ka sektorë që merren me trajtimin e tifozërive apo edhe në ministrinë e “Rinisë Arsimit dhe Sportit” ka një komision antidhunë, asgjë nuk po shihet të bëhet. Ndonëse çdo javë vihet re një “përplasje” e vazhdueshme mes sportdashësve në shkallët e stadiumit dhe forcave të policisë, nuk është ndërmarrë asnjë nismë nga institucioni i futbollit për të krijuar tryeza komunikimi mes forcave të rendit, klubeve dhe tifozëve.

Së pari, tryeza të kësaj natyre do të saktësonin hierarkinë në një impiant sportiv. Gjithkush duhet ta ketë të qartë që delegati i ndeshjes është “vendimmarrës” që vendos se cilat janë banderolat e ndaluara, cilat janë ofendimet apo dhe parullat që duhet të ndalojnë ndeshjen. Në shkallët e stadiumit, një punonjës i policisë nuk mund të dhunojë tifozët qoftë për parullat që ata shpalosin apo as për ofendimet (që duhet të minimizohen sa më shumë) që mund të lëshohen nga tifozët dhe ultrasit.

ZGJIDHJA
Grupimi më i madh dhe më i vjetër i ultrasve në ndjekje të Kombëtares, “Tifozat Kuq e Zi”, ka bojkotuar ndeshjet e përfaqësueses brenda territorit të Shqipërisë vetëm për shkak të sjelljes së papërshtatshme të policisë. Një vit më parë në Kukës, policia shkaktoi “gjullurdinë” me tifozët e Partizanit, ndonëse këta të fundit po goditeshin nga jashtë me gurë dhe sende të forta.

Në “Elbasan Arena”, në përballjen mes Partizanit dhe Skënderbeut shkaktoi incidente dhe dhunë të pashembullt kundrejt tifozëve të kuq. Në Vlorë, edhe rasti më ekstrem, bëri që një sportdashës të humbiste jetën nga veprimet e punonjësve të policisë, por ende nuk është ndërmarrë asnjë hap.

Për të shmangur ngjarje të tilla dhe, për të bërë të mundur që tifozët që afrohen në stadiume të mos i largojë sjellja e tillë e forcave të rendit, duhet menjëherë një sensibilizim me rregullat dhe ligjet që saktësojnë “Prishjen e rendit dhe qetësisë publike”. Në gjuhën e përditshmërisë, një ultras mbrohet me shprehjen se “stadiumi nuk është bibliotekë”, ndërkohë që organizatorja e garës duhet që sa më shpejt të marrë masat për të bërë bashkë në tryeza bisedimi: Dhunuesin dhe të dhunuarin, pra policinë dhe tifozërinë./panoramasport/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb