Megjithëse mohoi të jetë rrahur, deputeti Eduard Ndocaj ka kaluar një incident të pakëndshëm gjatë vizitës në Kosovë më 25 shtator që mund të kishte përfunduar edhe me një bilanc të rëndë. Këtë gjë e ka konfirmuar për News24 dhe BalkanWeb, prokurori i Prizrenti Sylë Hoxha.

Ai tha se deputeti shqiptar, pjesë e grupit parlamentar të Partisë Socialiste është goditur nga shtetasi kosovar Ilirjan Bytyçi si dhe një shtetas nga Shqipëria. Ngjarja ka ndodhur në një qendër tregtare.

“Ka ndodhur një incident siç më ka informuar prokurori kujdestar. Një shtetas shqiptar është ndalur ditën e ngjarjes: E. Vata dhe shtetasi kosovar Ilirjan Bytyçi të nesërmen e ngjarjes. Duke u kthyer nga Peja, deputeti i kuvendit të Shqipërisë është ndalur në një qendër tregtare në Landovicë ku edhe ka ndodhur incidenti dhe është goditur”, ka thënë Hoxha.

“Deputeti është goditur nga shtetasi kosovar, ka pasur një lëndim të lehtë trupor. Nuk ka ndodhur plagosje më e rëndë për fat. Kjo ngjarje është e ndjeshme, bëhet fjalë për një të dëmtuar, deputet të parlamentit të Shqipërisë. Kam urdhëruar të merren sa më shpejt me rastin. Shtetasi shqiptar po merret në pyetje. Janë takuar rastësisht. Shtetasi kosovar është i njohur për organet e policisë për disa vepra penale. Deputetin unë nuk e njoh. Nëse nevojitet si palë e dëmtuar Ndocaj do të thirret”, ka thënë Prokurori Hoxha.

Ai ka shtuar se pas goditjes deputeti ka telefonuar policinë, ndërsa ka qenë i shoqëruar nga një femër.
“Deputeti Ndocaj ka qenë në shoqërinë e një femre. Edhe makina tjetër që janë takuar ka pasur femra. Por kush kanë qenë për momentin nuk i di. Madje nuk di as kush kanë qënë shoqëruesit me deputetin” tha kryeprokurori i Prizrenit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: