DEVOLL – Altin Nallbati, vëllai i kryebashkiakut të Devollit, Bledjon Nallbati, dje është shoqëruar nga policia, pasi është konfliktuar dhe ka goditur te dera e komisariatit specialistin e SHÇBA-së, Devi Agon, si dhe është grindur me bashkëshorten e këtij të fundit, po punonjëse policie. Burime nga policia lokale pohuan se ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme. Sipas këtyre burimeve, Altin Nallbati (i papunë), duke përfituar edhe nga pozicioni që mban vëllai i tij, ka shkuar në komisariat, pasi një person i afërt i tij ishte shoqëruar për prerje dhe transport të paligjshëm të pyjeve (ishte kapur në flagrancë me një mjet të mbushur me dru).

Ndërsa personi i shoqëruar në komisariat ishte duke u marrë në pyetje, 37-vjeçari Nallbati ka shkuar atje me një grup personash dhe ka nisur t’i kërkojë llogari punonjëses së policisë E.A., duke përdorur edhe tone të ashpra dhe fyese ndaj saj me qëllim që të lironte menjëherë personin e shoqëruar.

Gjithçka ka ndodhur në ambientet e komisariatit ku i riu, ka bërtitur dhe është përpjekur t’i imponojë efektives lirimin e menjëhershëm të të shoqëruarit. Të bërtiturat dhe fyerjet e Nallbatit janë dëgjuar edhe nga bashkëshorti i polices, Devi Ago, i cili mban pozicionin e specialistit të SHÇBAsë pranë këtij komisariati.

Ky i fundit ka shkuar dhe ka ndërhyrë, por situata ka precipituar, pasi Nallbati dhe Ago janë goditur me njëri-tjetrin. Menjëherë, Altin Nallbati është shoqëruar nga blutë e Devollit. E ndërsa kjo ngjarje është zhvilluar brenda ambienteve të komisariatit, policia zyrtarisht ka preferuar ta kalojë në heshtje, duke mos bërë asnjë deklarim zyrtar lidhur me rrethanat e ngjarjes. Bledion Nallbati mori postin e kryebashkiakut në zgjedhjet e vitit të kaluar, ku garoi për koalicionin e djathtë.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: