NGA: Evis Kuçi
Dy vëllezër me banim në Ksamil kanë rënë në pranga, pasi akuzohen se kanë marre peng dhe kane dhunuar një 46-vjecar për një borxh që kishte marrë ish-gruaja e tij. Ndalimi i dy të akuzuarve Lani Boraj 37 vjeç dhe Olen Boraj 31 vjeç, është kryer për veprat penale “heqje e paligjshme e lirisë”, “mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municioneve” dhe “vetëgjyqësia”. Shkak i dhunimit me pasojë shkaktimin e shembjeve të kokës, tronditje të trurit dhe në fytyrë të S. Braçes, mësohet të ketë qenë një borxh që ish-bashkëshortja e tij u kishte marrë dy vëllezërve Boraj.

Nga hetimet e organit të akuzës ka rezultuar se të ndaluarit i kishin dhënë ish-bashkëshortes së Braçes një shumë prej 1600 eurosh dhe 30 mijë lekësh. Vëllezërit Boraj e kanë takuar disa herë Braçen duke i kërkuar që tu kthente paratë. Por, ai ka thënë se nuk kishte dijeni për këtë borxh, pasi me bashkëshorten ishte divorcuar dhe nuk kishte dijeni për paratë që ajo u kishte marë e se nuk mund të mbante përgjegjësi për veprimet e saj. Por, vëllezërit Boraj kanë këmbëngulur dhe dyshohet se e kanë kërcënuar Braçen, duke i thënë se nëse nuk u kthente paratë që u kishte marrë ish-gruaja e tij deri më datë 27 korrik 2017, do të kishin probleme. Ndërkohë, nga hetimet ka rezultuar se ish-bashkëshortja e Braçes, pak kohë pasi u kishte marrë paratë borxh vëllezërve Boraj, më datë 21 shkurt të vitit 2017, është larguar jashtë shtetit ku rezulton se jeton ende.

Ngjarja për të cilën akuzohen dy vëllezërit Boraj ka ndodhur më datë 17 korrik 2017 në fshatin Hekal të Mallakastrës. Mësohet se mesditën e kësaj date, i dëmtuari S. Braçe që punonte në Bashkinë Mallakastër, është telefonuar nga i ndaluari Lani Boraj, i cili i ka kërkuar që të shkonte me të në makinë se do të shkonin në fshatin Hekal. Pasi i dëmtuari ka hipur në makinë, ka konstatuar se në sedilen e parë të mjetit ndodhej edhe vëllai i Lanit, Olen Boraj. Nga hetimet e prokurorisë së Fierit është konkluduar se fillimisht biseda ka qenë normale, por, kur S. Braçe ka nxjerr telefonin për të kryer një telefonatë, një prej vëllezërve, Oleni, ja ka tërhequr nga dora duke ja marë me forcë dhe i ka folur me ton kërcënues se kur do t’ua jepte paratë. Në të njëjtën kohë dyshohet se e ka qëlluar me kokë në pjesën e vetullës së djathtë të dëmtuarin.

Pasi S. Braçe është përballur me veprimet e dhunshme ka hapur derën e mjetit dhe në lëvizje e sipër ka tentuar të hidhet në tokë, por pa mundur pasi një këmbë i është bllokuar brenda mjetit. Në këtë moment vëllezërit Boraj akuzohen se kanë ndalur mjetin dhe e kanë qëlluar me grushte e shkelma në trup e në kokë të dëmtuarin. Pas kësaj ata e kanë futur sërish në makinë me forcë dhe e kanë shkuar në një pyll, edhe pse S. Braçe u lutej ta zbrisnin në tokë. Në mes të pyllit, të prangosurit kanë ndaluar mjetin dhe kanë nisur të godisnin sërish e ta kërcënonin në lidhje me vajzën me të cilën jeton pas divorcit me të shoqen. Autorët e kanë hedhur sërish në tokë, S.Braçen, që ishte gjakosur i tëri dhe kanë nisur ta qëllojnë sërish me grushte e shkelma. Nga dhuna e ushtruar, i dëmtuari ka rënë pa ndjenja. Në deklarimet e tij, S. Braçe sqaron se kujtohet vetëm kur dy vëllezërit Boraj e kanë hedhur nga makina në hyrjen e pallatit ku jeton.

Fillimisht ai ka pasur frikë të denonconte rastin dhe ka qenë vajza e tij që e ka mjekuar, por pas disa orësh është detyruar të shkojë në spital ku ka marrë mjekim për shtatë ditë. Pas nisjes së hetimeve, prokurori i çështjes Petrit Vukaj kërkuar verifikimin e tabulateve telefonike të dy vëllezërve Boraj, nga ku ka rezultuar se ditën e ngjarjes, ata kanë përshkruar të njëjtën rrugë dhe janë gjendur në të njëjtat vende ku ka deklaruar i dëmtuari Braçe. Nga kontrolli i ushtruar në banesën e të ndaluarve, në fshatin hekal të Mallakstrës, në prani të nënës së tyre, janë gjetur dhe sekuestruar tre krehëra pistolete TT, ku gjendeshin disa fishekë. Ndërkohë, nga ekspertimi mjeko-ligjor i të dëmtuarit, janë konstatuar dëme të shumta në kokë dhe në trup, si tronditje të trurit, shembje të kokës, gërvishtje e ekimoza në fytyrë, të shkaktuara me mjete të forta, jo të mprehta, që sipas mjeko-ligjorit shkaktojnë paaftësi të përkohshme në punë mbi nëntë ditë. Dy të ndaluarit, gjatë dhënies së deklarimeve kanë pranuar se e kanë marrë atë ditë S. Braçen në makinën e tyre dhe janë nisur për të shkuar në Hekal të Mallakastrës për të marrë një vërtetim, por, kanë pohuar se vetëm janë qëlluar disa herë pasi kanë debatuar për borxhin dhe se më pas e kanë sjellë në shtëpi. Pas sigurimit të të gjitha provave të sipërcituara, më datë 18 maj, prokurori Petrit Vukaj ka kërkuar caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” në mungesë ndaj dy vëllezërve Boraj, masë e cila është pranuar edhe nga gjykata e Fierit. Dy vëllezërit Boraj janë shpallur në kërkim, por ka qenë e pamundur që të gjendeshin në adresën e tyre zyrtare. Pas një thirrjeje të prokurorit të çështjes për t’u paraqitur, të shoqëruar nga avokati i tyre, pasi janë njohur me akuzat dhe masën e sigurisë së tyre, dy vëllezërit Boraj janë prangosur në ambientet e Prokurorisë së Fierit, ku kanë mbërritur me këmbët e tyre.

NJOFTIMI I POLICISË SË FIERIT
Fier: Ndalohen 2 vëllezër të cilët ishin shpallur në kërkim për “Heqje të paligjshme të lirisë”, “Armbajtës pa leje” dhe “Vetëgjyqësi”. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, ndaluan shtetasit e shpallur në kërkim:
1.Lani Boraj, 37 vjeç
2.Olen Boraj, 31 vjeç, banues në Ksamil, Sarandë.
Ndalimi i këtyre shtetasve u bë pasi Gjykata e Shkallës së Parë Fier me Vendimin e datës 24.05.2018 ka dhënë masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Prodhimi dhe mbajtje pa leje e armëve dhe municionit luftarak” dhe Vetëgjyqësia” parashikuar nga Nenet 110/2, 278/2 dhe 277 të Kodit Penal. Në Korrik të vitit 2017, këta shtetas në bashkëpunim me njeri tjetrin, në fshatin Hekal, Mallakastër, kanë marrë forcërisht dhe i kanë hequr lirinë për disa orë shtetasit S.B, 46 vjeç, banues në Fier.