Pas ndeshjes, trajneri i Romës, Eusebio Di Francesco ka thënë se lojtarët e Liverpoolit kuptoheshin më mirë në fushë se futbollistët e tij. Edhe pse u mundën 5-2 nga Liverpool, verdhekuqtë të shpresojnë sadopak për takimin e kthimit. Tekniku italian tha se lojtarët e tij “humbën” kokën në fushë.

“Filluam mirë ndeshjen, pastaj humbëm disa duele dhe “humbëm” kokën në fushë. Kishim përgatitur disa gjëra por që në fushë nuk ndodhën/ Duelet e humbura janë pjesë e futbollit, duhej të kishim forcë për t’i fituar ato. Lojtarët e Liverpoolit kuptoheshin shumë mirë mes vete dhe kjo e bëri ndeshjen më të lehtë për ta”, deklaroi Di Francesco.

Por tekniku italian beson se skuadra e tij ka mundësi për ta përmbysur rezultatin në ndeshjen e kthimit në Romë.

“Në futboll asgjë nuk është e pamundur, do të jetë një ndeshje ndryshe nga ajo me Barcelonën, por shpirti i skuadrës për përmbysje do të jetë aty”, përfundoi Di Francesco.

Roma dhe Liverpool do ta luajnë ndeshjen e kthimit në Olimpico të mërkurën e ardhshme.
(i.ç/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb