Në Bruksel ka vazhduar dialogu në nivel teknik në mes të Kosovës dhe Serbisë, që lehtësohet nga Shërbimi i veprimit të jashtëm të Bashkimit Evropian.

Ditën e parë të dialogut teknik mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel është diskutuar kryesisht për zbatimin e disa marrëveshjeve të arritura më parë.

Shefja e delegacionit të Kosovës, Edita Tahiri, ka thënë se së pari duhet të hiqen institucionet paralele të Serbisë në Kosovë, e pastaj mund të vazhdohet me punën e formimit të Asociacionit të Komunave me shumcië serbe.

Ajo poashtu ka thënë se duhet të hiqet bllokada e Serbisë për prefiksin ndërkombëtarë të telefonisë për Kosovën dhe të nis sa më parë distrubucioni i pavarur i energjisë.

Marko Gjuriq ka thënë se për Serbinë është e paarsyetueshme se pse nuk po formohet ajo që ata e quajnë “Bashkësi të Komunave Serbe”. Ai ka thënë se pos kësaj është diskutuar edhe për regjistrimin e kompanive të Serbisë në fushën e telekomunikimit në Kosovë, si dhe për implikimet që do të ketë për qytetarët e Kosovës me pasaporta të Serbisë liberalizimi i paralajmëruar i vizave.

Në BE nuk fshehin pakënaqësinë për mos zbatimin e një varg marrëveshjeve të arritura në dialog, por nuk duan të përfshihen në lojën e hudhjes së fajit që Beogradi dhe Prishtina i bëjnë njëri tjetrit.

Zyrtarë të BE-së thonë se pakënaqsitë e tyre për ngecjen në zbatimin e marrëveshjeve të dialogut ia kanë pëcjellur palëve në disa takime që kanë pasur, përfshirë edhe gjatë vizitës së fundit që Përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Federika Mogherini, ka pasur në Prishtinë.

Burimet diplomatike në BE paralajëmrojnë se sapo të krijohet qeveria e re në Serbi, do të bëhen përpjekje që sa më parë të zhvillohet edhe një dialog në nivel të kryeminitsrave, në mënyrë që të lëvizin gjërat rreth implementimit të marrëveshjeve.

(d.d/REL/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb