“Brazili është skuadra favorite për të fituar Kupën e Botës!” Kështu mendon një nga futbollistët i cili ngriti Botërorin e fundit për Brazilin në 2002, Nelson Dida, ish-portier i Milan dhe ‘seleçaos’.

Ai ishte i ftuar në lamtumirën e Pirlos ku morën pjesë shumë legjenda dhe mediave italiane nuk mund t’u ikte mundësia për të intervistuar 44-vjeçarin. Dida shprehet se me Neymar dhe shokët që e mbështesin është shumë e mundur për të triumfuar në Rusi.

– Ju kujtohet vetja juaj kur shihni Alisson?

– Është një portier i madh dhe po bën një punë të mirë. Edhe te Internacional i kishim vënë re aftësitë e tij që tani po i tregon te Roma. Pasi qëndroi një vit në stol, si zëvendës i Szczesny, mori vendin e titullarit. E fitoi vendin në kombëtare prej disa paraqitjeve shembullore. Po rritet ditë pas dite dhe ia u garantoj se mund të përmirësohet edhe më tej.

– Ka zëra që flasin për një kalim të tijin te Real Madrid…

– Tani duhet të qëndrojë i qetë dhe mos të mendojë për merkaton. Ai e di se çfarë duhet të bëj dhe çfarë është mirë për të ardhmen e tij.

– Brazili është favorit për Kupën e Botës?

– Po, sepse skuadra është shumë e fortë dhe ambienti ka harmoni. Mund të fitojmë Kupën e Botës për herë të gjashtë, por duhet të kemi kujdes nga Gjermania dhe Argjentina. Këto dy kundërshtarë janë ato që i druhem më shumë.

– A do të jetë Neymar lideri?

– Është ylli i skuadrës dhe të gjithë bëjmë tifo për të. Ai është një sulmues i madh dhe do të ketë në krah futbollistë shumë të aftë. Grupi është shumë kompakt dhe në Rusi do ta tregojnë. Një vend i tërë i ka sytë nga ata…

– Cili është kujtimi juaj më i bukur nga Botërori?

– I paharrueshëm do të mbetet viti 2002 kur ngrita kupën. Të fitosh është gjithmonë e paharrueshme, kujtimi më i bukur. Eshtë një emocion që e kujtoj ende sot, një sukses i rëndësishëm për Brazilin dhe ishte diçka speciale. Nuk do ta harroj kurrë golin që shënoi Ronaldinho ndaj Anglisë me goditje dënimi.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb