TIRANË- “Çfarë e ka penguar Prokurorinë të hetojë gjyqtarët? Po funksionarët e lartë? Thelbi i problemit në fushën kundër korrupsionit qëndron te hetimet e paplota dhe te mungesa e eficencës së Policisë Gjyqësore, të cilën kryepolici e përshkroi si një bizhu të Prokurorisë”, kështu ka deklaruar kreu i Policisë së Shtetit Artan Didi gjatë një interviste dhënë për Top Channel.

Numri një i Policisë së Shtetit dha deklarata të ashpra para ekspertëve shqiptarë dhe të huaj nw aktivitetin e organizuar në zyrat e Bashkimit Europian.

“Unë ngrita problemin e forcimit të rolit të Policisë Gjyqësore, sepse shpesh shikojmë që përdoret termi Polici Gjyqësore duke e trajtuar si një element të veçantë të sistemit të drejtësisë apo të sistemit të hetimit, ndërkohë që aktualisht dhe praktikisht ky element funksionon në varësi të plotë të Prokurorisë. Gjë që e bën atë një strukturë jo fort eficente. Unë trajtova problemin në këtë këndvështrim, pasi po shikojmë se lufta kundër korrupsionit në sistemin e drejtësisë në nivelet e larta të funksionarëve të shtetit dhe te të zgjedhurit vendorë, u evidentua se nuk ka rezultate të dukshme. Ngrita problemin e mungesës së hetimeve të mirëfillta, pasi nuk mund të ketë gjyqtarë aq të paskrupujt, që nuk mund të kenë frikë nga ligji, në qoftë se akuza do të jetë e argumentuar me prova të plota. Por ka boshllëqe në hetime dhe në akuzë, nga ku gjyqtarët pastaj gjejnë mundësinë të luajnë brenda këtyre hapësirave”, u shpreh kreu i Policisë së Shtetit, Artan Didi.

Sipas Didit, përveç këtyre boshllëqeve dhe nevojës për një Prokurori intensive në hetime, pozicioni i Policisë Gjyqësore duhet ndryshuar me ligj.

“Patjetër që kërkohet një aktivizim më i madh i Prokurorisë, por gjithsesi ajo nuk i ka kapacitetet që ka Policia Gjyqësore, ndaj dhe roli i kësaj të fundit është jetik në zhvillimin e hetimeve të Prokurorisë. Hetimet e Policisë Gjyqësore patjetër që e ndihmojnë Prokurorinë, e sigurisht që do të kontrollohen nga ky institucion. Kemi diskutuar edhe me kryeprokurorin këtë çështje dhe po ta shikosh të gjithë e ndiejnë këtë ngërç, pasi janë bërë memorandume bashkëpunimi për ta forcuar atë, por janë elementë që nuk mund të mbivendosen mbi ato dispozita, rregulla apo raporte, që ka vendosur Kodi i Procedurës Penale. Raporte të cilat mendoj se duhen rishikuar që në këtë Kod, por edhe në ligjin për Policinë Gjyqësore”, deklaroi kryepolici Didi.

(a.h/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: