TIRANE – Dieta DASH mund të ndihmojë në uljen e niveleve të kolesterolit dhe tensionit të lartë të gjakut, duke mbrojtur kështu edhe shëndetin e zemrës. Është një mënyrë e shëndetshme e të ngrënit, që ndihmon gjithashtu edhe në rënien në peshë.
Do të mund të konsumoni shumë fruta, perime dhe produkte të qumështit me pak yndyrë, ndërkohë që duhet të limitoni yndyrat, ëmbëlsirat dhe ushqimet me shumë kolesterol.
Kufizoni kripën
Teprimi me kripën shkakton grumbullim të lëngjeve në trup. Kështu ushtrohet shumë presion në zemër. Në dietën DASH rekomandohet jo
më shumë se 2300 miligramë sodium, në varësi të moshës, gjinisë apo gjendjes shëndetësore. Kufizoni ushqimet e përpunuara pasi kanë
përmbajtje të lartë në kripë.
Konsumoni drithër
Drithërat si elbi, bollguri, orizi kaf janë një mënyrë e mirë për të marrë fibrat, lëndë ushqyese këto që ju mbajnë të ngopur për një kohë të
gjatë si dhe ndihmojnë në uljen e niveleve të kolesterolit.
Mbusheni pjatën me perime
Perimet sigurojnë vitamina, minerale dhe fibra. Ato nuk kanë përmbajtje të lartë në yndyrë dhe kalori, prandaj janë të mira për të mbajtur
nën kontroll tensionin e gjakut.
Mos harroni frutat
Frutat ofrojnë shumë fibra dhe vitamina që janë të mira për zemrën. Shumë prej tyre kanë gjithashtu përmbajtje të lartë në kalium dhe
magnez, që ulin tensionin e gjakut. Konsumoni 4 deri në 5 fruta në ditë të llojeve të ndryshme, si mollë, dardhë, banane etj
Konsumoni mish pa dhjamë dhe peshk
Mos hiqni dorë nga mishi, vetëm sigurohuni që ai të jetë pa dhjamë. Mishi është burim i mirë i proteinave dhe magnezit. Peshku dhe mishi i pulës duhet të përfshihen gjithashtu në menu.
Shtoni fruta të thata dhe thjerrëza
Frutat e thata, thjerrëzat dhe farat janë të pasura në magnez, proteina dhe fibra. Bajamet, për shembull, kanë përmbajtje të lartë në acide yndyrore omega 3, që ulin rrezikun e zhvillimit të sëmundjeve të zemrës.
Kufizoni yndyrat
Teprimi me yndyrat mund t’ju shkaktojë rritje të niveleve të kolesterolit dhe rrezikut për zhvillim të sëmundjeve të zemrës, me përjashtim
sigurisht të vajit të ullirit ekstra i virgjër.
Kujdes me ëmbëlsirat
Nuk keni përse të hiqni dorë plotësisht nga ëmbëlsirat, megjithatë duhet të bëni kujdes në zgjedhjen e tyre, si dhe nuk duhet të konsumoni më shumë se 5 racione në javë. Konsumoni ëmbëlsira pa shumë yndyrë dhe pa sheqer të shtuar.
Merrni mjaftueshëm kalium
Kaliumi është një tjetër pjesë e rëndësishme e dietës DASH. Ky mineral ndihmon në uljen e tensionit të lartë të gjakut. Përpiquni që ta përfitoni atë nga ushqimet dhe jo nga suplementet. Merrni rreth 4700 miligramë në ditë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb