Pas një jave, më 12 dhjetor, qytetarët e Tiranës do të duhet t’i hedhin mbeturinat në mënyrë të diferencuar. Kompania “Eco Tirana” do të nisë punën për një pastrim më të mirë të qytetit, duke vënë në dispozicion si fillim infrastrukturën. Kompania publike “Eco Tirana”, e ngarkuar me pastrimin e qytetit, prezantoi të hënën mjetet e reja të cilat, jo vetëm do të modernizojnë shërbimin e mbledhjes së mbetjeve dhe pastrimit, por do të reduktojnë ndotjen e ajrit.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ambasadori italian në Tiranë, Alberto Cutillo dhe administratori i “Eco Tirana”, Diego Testi. “Kemi dy kontenierë: një i gjelbër, me kapak të verdhë, që është për mbetjet e riciklueshme si letra, plastika, kanoçe, kurse kontenieri tjetër me ngjyrë blu dhe kapak gri, është vetëm për gjërat që nuk riciklohen, pra kryesisht mbetje organike, nga gatimi”, – tha Veliaj.

Në Tiranë do të vendosen 850 kazanë ku do të hidhen mbetje të diferencuara. Ndërkohë që “Eko Tirana” ka 12 automjete të kategorisë “Euro 6” me ndikim minimal në ndotje, tri makina fshirëse për mbledhjen e pluhurit në rrugë dhe një makinë për larjen dhe dezinfektimin e kazanëve. Ndërkohë që kryetari i bashkisë, Erion Veliaj ka menduar edhe për ata të cilët nuk i dërgojnë mbetjet deri te kazani.

“Duke filluar nga java tjetër do të nisin punë administratorët e pallateve, kurse ekipet e bashkisë do të certifikojnë administratorin. Një nga detyrat e administratorit është edhe vënia e gjobës për atë banor të pallatit që i hedh plehrat nga ballkoni, që i lë te dera e pallatit, që bën sikur i ka harruar në ashensor, sepse është shumë e rëndësishme që, përveç infrastrukturës, të punojmë pak edhe me kulturën”, – tha kryebashkiaku i Tiranës. Ndërgjegjësimi i qytetarëve ka nisur me trajnimin e nxënësve të shkollës se si do të bëhet diferencimi i mbetjeve, me qëllim që kjo sjellje të transmetohet te më të rriturit.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb