Nga: XHENSILA KODRA*
TIRANE – Makina në pronësi të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) është djegur mesnatën e së premtes, në garazhin e një pallati, në lagjen numër 1 në qytetin e Durrësit. Sipas policisë lokale, bëhet me dije se mjeti tip “Land Rover” me targa AA 064 AX është djegur plotësisht.

Burime nga vendi i ngjarjes pohuan se si pasojë e flakëve, të dëmtuara kanë mbetur edhe disa makina të tjera, të cilat kanë qenë të parkuara aty pranë. Paraprakisht dyshohet se shkak ka qenë një shkëndijë elektrike, ndërsa policia është duke hetuar se makina mund të jetë djegur edhe për shkak të detyrës.
NGJARJA

Ngjarja është shënuar rreth orës 01:00, ku të parët që kanë konstatuar zjarrin kanë qenë disa nga banorët e lagjes. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar efektivët e Durrësit, si dhe forca të shumta zjarrfikëse, të cilat bënë të mundur fikjen e zjarrit. Nga hetimet e para policia dyshon se makina është djegur si pasojë e një shkëndije elektrike. Ndërkohë, burime pranë uniformave blu të qytetit bregdetar pohuan se ngjarja mund të jetë shkaktuar edhe për shkak të detyrës.

“Më datë 22.01.2016, rreth mesnatës, në lagjen nr.1 në Durrës, ka rënë zjarr në parkingun nëntokësore të një pallati. Për pasojë, është djegur plotësisht mjeti tip ‘Land Rover’ me targa AA 064AX, në pronësi të subjektit OSHEE. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar efektivët e policisë dhe forcat zjarrfikëse, të cilët kanë bërë të mundur fikjen e zjarrit. Ndërkohë, grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkaqeve të rënies së zjarrit dhe zbardhjen e plotë të saj. Paraprakisht dyshohet se shkak për zjarrin është bërë një shkëndijë elektrike”, shkruhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Durrësit. Sakaq, në një prononcim për “Gazeta Shqiptare”, kreu i OSHEE-së, Ardian Çela, tha se makina në pronësi të këtij subjekti në momentin e ngjarjes ka qenë e parkuar në garazhin e banesës së shoferit.

Gjithashtu, ai sqaroi se nuk ka pasur konflikte me ndonjë person dhe se nuk mendon se djegia e makinës mund të jetë bërë për shkak të detyrës. “Nuk kam qenë i pranishëm në momentin e ngjarjes. Makina ka qenë e parkuar në garazhin e banesës ku jeton shoferi. Nuk kam pasur konflikte me asnjë person dhe nuk besoj se ngjarja mund të ketë ndodhur për shkak të detyrës”, tha për “GSH” Ardian Çela.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: