Ndonese zjarri në malet e Oroshit është neutralizuar, një banesë thuajse është djegur, ndërsa 3 fshatra rrezikohen ende. Mësohet se flakët më intensive janë vetëm në zonat malore, ndërsa forcat e zjarrfikëses dhe ato të ushtrisë janë në gatishmëri për shuarjen e zjarrit. Ndërkohë, prefekti i Lezhës, Eduard Ndreca pohoi se ndonëse vatrat e zjarrit janë zgjeruar situata është nën kontroll. Ai tha për ‘News24’ se nga djegia e banesës nuk ka pasur të lënduar.

Më herët, në një lidhje telefonike për ‘News24’, Ndreca deklaroi se situata në Orosh ishte alarmante, ndërsa sipas tij deri më tani janë përpirë nga flakët mbi 100 ha sipërfaqe. Ndërsa situata favorizohej shumë dhe nga era e fortë, e cila shtonte rrezikun për përhapjen e flakëve. “E rëndësishme është që mos të rrezikohen banesa. Të gjithë janë në gatishmëri.”, tha Nderca.

Duke marrë shkas nga kjo situatë, Ministria e Mbrotjes angazhoi një helikopter, i cili prej disa orësh po punon për shuarjen e zjarrit. Po sipas MM-së, forca të shumta të ushtrisë janë angazhuar për shuarjen dhe lokalizimin e flakëve.

Po ashtu, në Shëngjin flakët u riaktivizuan sërish gjatë natës. Mësohet se tre vatra zjarri janë aktive në malin e Shëngjinit. Vatrat e zjarrit janë mbajtur nën kontroll gjatë dites se djeshme, por natën janë riaktivizuar.

Zjarrfikësit, të ndihmuar nga 100 forca ushtria dhe një helikopter po punojnë për shuarjen e zjarrit. Lufta me zjarret që përfshinë këtë zonë, të vendosura qëllimisht për ripërtëritjen e kullotave, vijon prej disa ditësh.

VIJOJNË FLAKËT E ZJARRIT TEK ‘MAJA E ZEZË’ NË VELIPOJË
Ndërkohë, problematike ngelet edhe situata tek ‘Maja e Zezë’ në Rrjoll të Velipojës. Ndaj, për vënien nën kontroll të zjarrit është kërkuar ndërhyrja nga ushtria dhe ajri. Deri tani raportohet se 2-3 hektarë tokë në fshatin Nënshat të Vaut të Dejës janë djegur.
(d.b/ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb