Nga: ILIR KALEMAJ*

Në njëvjetorin e marrjes së Krimesë dhe pas rreth dhjetë ditësh i zhdukur nga qarkullimi, presidenti rus Putin befason me stilin e tij të zakonshëm, duke nënshkruar një traktat me Republikën e vetëshpallur të pavarur të Osetisë së Jugut, duke ia bashkangjitur atë formalisht Rusisë. Osertia e Jugut dhe Abkhazia në fakt njihen ndërkombëtarisht si rajone të Gjeorgjisë, ndonëse kanë pasur autonomi faktike përgjatë gjithë periudhës paskomuniste dhe që kulmoi me ndërhyrjen ushtarake të Rusisë në gusht të 2008-ës në Gjeorgji, ku në një luftë të çuditshme që zgjati vetëm pesë ditë, u vranë qindra gjeorgjianë dhe u shpërngulën nga shtëpitë e tyre qindra mijëra të tjerë.
Në fakt, ky qe vetëm një akt që mund të konsiderohet nga njëra anë mbarimi dhe nga tjetra fillimi i një sage që ka prodhuar një situatë të nderë në rajon përgjatë dy dekadave e kusur të një tranzicioni pa bosht orientimi. Është nga njëra anë mbarimi apo kurora e pamerituar e një politike që ka gjeneruar dhe mbajtur konflikte të ngrira përgjatë gjithë rajonit, ku veç Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë, kemi edhe rajonin e Transdnistrisë në Moldavi, të njohur nga Republika e Moldovës me statusin e një krahine autonome me status special ligjor, por që de fakto është jashtë kontrollit të kësaj të fundit prej luftës së 1992 dhe de jure ka shpallur pavarësinë, ndonëse i panjohur ndërkombëtarisht nga asnjë shtet pjesëmarrës i Kombeve të Bashkuara.
Rajone të tjera problematike në rajon, që iu bashkëngjiten listës së konflikteve të ngrira me inkurajimin direkt ose indirekt të Moskës zyrtare janë Gagauzia, sërish në Moldovë, Nagorno-Karabakh që është kthyer në mollë të hershme sherri mes Azerbajxhanit dhe Armenisë dhe ku Kremlini ka pasur një rol jo të vogël në instrumentalizimin e konfliktit, apo edhe rajone brenda vetë Rusisë, ku krahas Çeçenisë që u bë e famshme për shkak të konfliktit të përshkallëzuar, është edhe Dagestani, Ingushetia etj. Nga ana tjetër, Rusia ka edhe Kaliningradin si një “kalë beteje” të futur thellë në mes Polonisë dhe Lituanisë, si një nyjë ndërlidhëse dhe një gur shahu të mundshëm në lojërat gjeopolitike.
Por ajo që është ndoshta më e rëndësishme në një vend që kontrollon rreth 40 për qind të eksporteve të gazit natyror dhe një të tretën e eksportit të naftës drejt BE-së, janë kontrolli që u bën Rusia jo vetëm pasurive të veta nëntokësore dhe mbitokësore, por edhe atyre të Azisë Qendrore si naftën e Kazakistanit, gazin natyror të Turkmenistanit, apo pambukut të Uzbekistanit si dhe kontrollin e rrugëve të tranzitit drejt Europës nëpërmjet Ukrainës, Bjellorusisë dhe Gjeorgjisë.
Duke synuar të luajë kartën gjeopolitike nëpërmjet krijimin të Unionit Euro-Aziatik, nëpërmjet presionit energjetik dhe investimeve të shumta që ka në vende europiane apo duke kërcënuar që do shohë drejt tregjeve dhe aleancave më të “përshtatshme”, si ajo me Kinën, Rusia bën të mundur vonesën në krijimin e aleancave mes faktorit perëndimor, i cili ndonëse është shfaqur i unifikuar në parim përsa i përket konfliktit me Ukrainën, është shfaqur i pafuqishëm për të folur me zë të qartë dhe të prerë përsa u përket “vijave të kuqe” që nuk duhen kurrsesi kaluar nga Moska zyrtare. Kjo strategji ka rezultuar deri diku efikase, nëse i referohemi suksesit që ka pasur presidenti Putin në konsolidimin e mëtejshëm të pushtetit edhe tashmë që kriza duket se ka trokitur fort, rubla ka marrë të tatëpjetën, prodhimi vendës i pamjaftueshëm për t’i bërë ballë kërkesës së brendshme në kuadër të sanksioneve, por edhe bllokadës së vetë Moskës për importet ushqimore etj.
Ndërkohë që me opozitën zgjidhjet e hershme si ato me burgosje, si në rastin e Kodorkovskit apo Navaln-it, janë komplementuar edhe me vrasje politike si ajo e Nemtsov. Po atë fat kanë pasur edhe OJF-të, shpesh konsiderohen si agjentura të huaja duke shuar sadopak disidencë që mund të kishte ngelur ende në vend. Kjo e kombinuar edhe me vrasje dhe zhdukje gazetarësh, me burgosje të zërave alternativë feministë, si anëtarët e grupit “Pussy Riot” dhe kështu me radhë në një listë, ku ajo që pason është shpesh një tejkalim i asaj që sapo ngjet.
Gjeo-strategjikisht Rusia po luan edhe me kartën e përçarjes ndaj vendeve të BE-së, si përdorimi i kartës hungareze me një aleat jo fort natyror si Viktor Orban apo së fundmi me flirtimin e hapur me grekët e Syrizas, ku qëllimi është dukshëm i qartë, për të mos folur këtu për lidhjet sa të hershme, aq edhe aktuale me lidershipin politik të Serbisë fqinje, ku së fundmi Nikoliç iu përgjigj ashpër eruodeputetit Kukan në lidhje me rekomandimin e këtij të fundit për mospjesëmarrje të presidentit serb në paradën e Moskës. Duket se “pranvera moskovite” ende nuk ka dërguar dallëndyshet e para dhe ata pak opozitarë që kanë ngelur si Navalny (aktualisht në burg) apo Kasparov (aktualisht në mërgim të detyruar), janë të pafuqishëm për të ndryshuar gjë. Edhe ndryshimi më së shumti ka gjasa të vijë si rezultat i presioneve të jashtme, kryesisht në varësi të efektivitetit të sanksioneve dhe rënies së varësisë nga importet energjetike të Rusisë nga vendet e Bashkimit Europian. Se sa kjo do të materializohet në një të ardhme të varfër dhe se sa do t’i rezistojnë krizës rusët, kur teori të ndryshme parashikojnë një kohëzgjatje jo më shumë se trevjeçare për regjimet autoritare që ballafaqohen me krizë të thellë ekonomike, kjo ngelet për t’u parë. Do të ishte një rast i mirë për t’i përforcuar apo rishikuar këto teori në varësi të zhvillimeve të pritshme.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: