Një dokument i vitit 1915 është sjellë në vëmendje dje, me rastin e 135-vjetorit të lindjes së Fan Nolit. Dokumenti, është një shkëmbim të dhënash mes diplomatëve grekë të kohës, në të cilën për ish-kryeministrin e Shqipërisë thuhet se ka “pasur baba grek” e po ashtu, thuhet se qe ateist e ndonëse i tillë, qe dorëzuar prift.

Në këtë dokument, Noli “akuzohet” se “atëherë mori rol aktiv në shtypin e huaj për të minuar qëllimet e Greqisë, dhe me pamfletin e tij antihelenik që dërgoi në tubimin helenik të mbledhur në Ferway Hall deshi të ndalte lëvizjet filohelenike të Amerikanëve”.

DOKUMENTI
Dokumenti është shkëputur nga botimi “Helenizmi i Epirit të Veriut dhe Marrëdhëniet Greko-Shqiptare”, Vëllimi I, 1897-1918, botuar nën kujdesin e Vasilis Kondis, Athinë, 1995. Në shqip është përkthyer nga Sokol Çunga dhe është pjesë e një vëllimi me dokumente të Ledia Dushkut.

Letra
Konsullata e Bostonit për Ambasadën e Uashingtonit
Boston, 20 gusht 1915
“Raportojmë se veprimtaria kombëtare dhe propagandistike e shqiptarëve në Boston zgjat prej shumë vitesh dhe është veçanërisht e frytshme pas mbërritjes së Faik Bej Konicës në qytet. Faik Bej Konica, me bashkëpunëtor dikur të quajturin Theofan Mavromati, sot Fan Noli, arriti t’i bëjë fanatikë shqiptarët autentikë.

Në vijim, raportojmë se Fan Noli e ka prejardhjen nga një fshat i Maqedonisë, është grek nga babai dhe shqiptar nga nëna, zotëron nëntë gjuhë dhe është ateist. Nga viti 1902 deri më 1905 dha mësim në shkollat greke të Egjiptit, ku shfaqi dhe shenjat e para të prirjes së tij shqiptare. E dëbuan prej andej dhe shkoi në Amerikë, ku gjeti përkrahje nën mbrojtjen e Faik Bej Konicës.

Megjithëse ishte ateist, u dorëzua prift i famullisë shqiptare të Bostonit, [ku shërbeu] deri sa shpërthyen Luftërat Ballkanike. Atëherë mori rol aktiv në shtypin e huaj për të minuar qëllimet e Greqisë, dhe me pamfletin e tij antihelenik që dërgoi në tubimin helenik të mbledhur në Ferway Hall deshi të ndalte lëvizjet filohelenike të Amerikanëve. Pasi nuk ia arriti qëllimit, u hodh në Trieste, bashkë me Faik Konicën. Nga atje u kthyen bashkë me Koço Çekrezin, i cili është redaktor i gazetës së Faik Bej Konicës, “Dielli” në Jamestown të Nju Jorkut. Duke dashur të riorganizojnë bashkësinë shqiptare, ndërtuan shoqëri vullnetarësh. Shoqëria e Bostonit ka 50 anëtarë. […]”

KUSH ISHTE NOLI
Një prej kolosëve të mendimit shqip, ai lindi më 6 janar 1882, në Ibrik Tepe, fshat shqiptar në Trakë, ndërsa vetë Noli thoshte se të parët e tij ishin me origjinë nga Qyteza e Kolonjës. I shkolluar në Harvard, Noli është një nga intelektualët më të shquar shqiptar të shekullit të kaluar, atdhetar, historian, diplomat, shkrimtar e publicist, orator, përkthyes i pashoq i disa prej kryeveprave të letërsisë botërore në shqip, si i tragjedive të Shekspirit, “Don Kishotit”, “Rubairat” e Omar Khajamit etj. Fan.S.Noli është konsideruar si kryeministri më i kulturuar i Ballkanit dhe një nga krerët e kulturës europiane të kohës. Ai ishte një nga mbrojtësit më të flaktë të çështjes kombëtare dhe fjalimet e tij mbeten ende perla të rralla të mendimit e artikulimit.

Kulmin e oratorisë, Noli e arriti në fjalimin që mbajti në Lidhjen e Kombeve, në Asamblenë e Pestë të Lidhjes, më 10 shtator 1924 me të cilin magjepsi edhe shtypin ndërkombëtar. Më 28 prill 1912, bashkë me Faik bej Konicën, Noli është ndër themeluesit kryesor të shoqatës pan-shqiptare Vatra bashkë me organin e saj të shtypit “Dielli” i Bostonit. Veprimtaria e Nolit si intelektual e atdhetar është e paçmuar, një nga figurat më të ndritura të kombit tonë.

1942/ Fan Noli i shkruan Adolf Hitlerit për Norbert Joklin
Në mes të shqiptarëve të shquar të vitit 1942 që u përpoqën të shpëtojnë nga nazizmi albanologun Norbert Jokli, ishte padyshim edhe Fan Noli. Ishte koha kur nazizmi gjerman i Adolf Hitlerit nuk kursente asnjë hebre. Norbert Jokli ishte albanolog austriak me prejardhje hebreje, një ndër themeluesit e albanologjisë. Ishte profesor në Universitetin e Vjenës.

Një personalitet shumë i rëndësishëm për Shqipërinë. Në atë kohë Jokli ishte arrestuar nga forcat e Gestapos dhe ishte vendosur në kampet naziste të përqendrimit. Në atë kohë, Fan Noli vendosi t’i shkruaj Adolf Hitelrit një lutje në emër të të gjithë shqiptarëve për të shpëtuar albanologun hebre, Norbert Jokli.

“Shqiptarët në vendin e tyre dhe jashtë shtetit janë të shqetësuar për shëndetin e keqësuar të profesorit në pension të Universitetit të Vjenës, dr. Norbert Jokl, autoritetit të gjallë më të madh në filologjinë shqiptare dhe pasusit më të shkëlqyer të një vargu të gjatë të studiuesve gjermanë, që kanë bërë një punë të paçmueshme pionieri për historinë, letërsinë dhe folklorin e Shqipërisë. Në emër të gjithë shqiptarëve unë i bëj thirrje shkëlqesisë suaj për ta ndihmuar këtë studiues të madh albanolog në çfarëdo mënyre të përshtatshme në kushtet e tashme të vështira”. Me gjithë përpjekjet e shumta të autoriteteve shqiptare, Norbert Jokli u arrestua nga Gestapoja në 4 mars 1942 në banesën e tij në Vjenë. Ai ndërroi jetë për shkak të torturave në kampet naziste të vdekjes.
(Marrë nga 27.al)

(GazetaShqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: