TIRANE – Diplomati dhe studiuesi i mirënjohur i marrëdhënieve ndërkombëtare, Shaban Murati ka promovuar librin e ri “Ballkani Faustian”, një vlerë e shtuar në fushën e mendimit diplomatik shqiptar.

Libri i përbërë nga 100 analiza është një vështrim i thellë analitik për zhvillimet më të rëndësishme politike dhe diplomatike të rajonit tonë gjatë dhjetë viteve të fundit

Është hera e parë, që në një botim antologjik dëshifrohen zhvillimet e reja rajonale në një interpretim dhe në një këndvështrim diplomatik me vule shqiptare. Personalitetet e historisë dhe diplomacisë njëzëri thanë se analizat dhe interpretimi i zhvillimeve në rajon i jep librit peshën dhe vlerën e një manuali tepër të dobishëm diplomatik.

Në të gjitha analizat e tij për zhvillimet në vende të veçanta apo në raportet e vendeve të Ballkanit me njëri-tjetrin apo me fuqi jashtë Ballkanit, autori është nisur gjithmonë nga këndvështrimi i efekteve që kanë apo mund të kenë këto zhvillime për interesat e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar.

Në librin “Ballkani Faustian” dominojnë analizat për marrëdhëniet aktuale të Shqipërisë me Serbinë dhe me Greqinë, dy fqinjët problematikë të historisë dhe të interesave jetike shqiptare. Në këtë linjë tematike autori analizon me çështjet, tezat dhe tensionet më të reja në raportet shqiptaro-serbe dhe shqiptaro-greke, siç janë ato për formulën franko-gjermane si model për Shqipërinë dhe Serbinë, për pajtimin midis shqiptarëve dhe serbëve, përplasjet e interesave dhe rivalitetet midis dy shteteve në ditët e sotme.

“Ballkani është për të gjithë ju një temë interesante ka qenë edhe për mua ku u emërova 22 vjeç në radion e jashtme në redaksionë e Evropës dhe të Ballkanit, pra një temë që ja marrë për 50 vjet dhe jam përpjekur të zhbiroj disi enigmat e këtij sfinksi ballkanik”, tha autori Shaban Murati gjatë promovimit.

Në libër trajtohen edhe influencat e fuqive të mëdha si Rusia apo Kina në Ballkan. Analizat kanë vlerë të veçantë, sidomos për rekomandimet e mprehta dhe mësimet e qarta, të cilat marrin vlera udhërrëfyese për diplomacinë tonë, për institucionet dhe shtetin shqiptar, në planetin e komplikuar ballkanik.

Në ceremoninë e mbajtur me këtë rast, referuan studiues, akademikë personalitete të shquara të fushës së historisë e marredhënive ndërkombëtare  si ish-kryeminstri, Prof.Dr Aleksandër Meksi, historiani Prof. Dr Pellumb Xhufi, Drejtori në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ilirjan Zhupa, Ambasador Çlirim Çepani dhe kreu i shoqatës “Alsar”, Mehdi Gurra.

Në “Ballkani Faustian” të Shaban Murati dominojnë analizat për marrëdhëniet aktuale të Shqipërisë me Serbinë dhe me Greqinë. Në libwr trajtohen edhe influencat e fuqive si Rusia apo Kina në Ballkan.

“Ballafaqimet dhe zhvillimet e mëtejshme të ngjarjes së situatës pas kohës kur janë shkruar nga autori artikujt konkret kur temat janë rimarrë, evidentojnë forcën e energjikës në shumë drejtime. Kjo i jep librit dhe një vlerë të madhe edhe për ditën e sotme sepse shohim që analizat e autorit nuk janë koronikë histporike por dinamikë mendimesh”, deklaroi dje ish-kryeministri Aleksandër Meksi.

Ndërsa, historiani i njohur Pëllumb Xhufi tha: “Në këtë libër citohen shembuj të shumtë kur vende fqinje pengojnë njëri-tjetrin në proceset integruese. Janë të njohura pengesat që Sllovenia i vuri Kroacisë në BE dhe po ashtu kushtëzimet e Hungarisë për Hungarinë”.
(er.cu/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb