Linda Chavez, ish-zyrtare e Shtëpisë së Bardhë gjatë administratës Reagan e cila sot është e angazhuar për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në një intervistë për emisionin “Diplomaticus” të gazetarit Erion Kaçorri në “News24” është ndalur te çështja e disidentëve iraniane, apo të quajtur ndryshe muxhahedinë, të cilët prej disa vitesh janë transferuar në Shqipëri pas një marrëveshje mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.

Chavez, një republikane e cila është edhe një nga analistet politike kryesore të mediave amerikane shprehet për “News24” se Shqipëria ka treguar se është një vend mikpritës duke pranuar një grup njerëzish të cilët janë burgosur dhe shtypur nga regjimi iranian dhe shprehu bindjen se ata do të jenë qytetarë të mirë kudo që të shkojnë.

“Kur Shqipëria nisi të pranojë disa nga njerëzit e kampit Ashraf dhe të kampit Liberty të Irakut, kjo për mua ishte një shenjë e mrekullueshme që ju jeni mikpritës. Këtyre njerëzve iu ishte refuzuar liria dhe kishin qenë të shtypur për një kohë të gjatë. Ata po kërkonin një jetë më të mirë për veten e tyre dhe që tua ofrosh këtë në Shqipëri, për mua ka qenë një shenje se vendi juaj është mikpritës” shprehet Chavez, raporton BalkanWeb.

E pyetur se përse nuk u dërguan në Shtetet e Bashkuara, kjo edhe pas shqetësimeve për numrin e madh që mbërritën në vendin tonë, Chavez shprehet se e gjithmonë kur ka fluks refugjatesh të cilët vijnë nga një kulturë tjetër, që flasin një gjuhë tjetër apo që kanë tradita të tjera, ka gjithmonë një tendencë njerëzore që të frikësohesh.

“Duke qenë se kam punuar me këtë grupim që kundërshton regjimin iranian, duke parë se ata promovojnë tolerancën, demokracinë dhe ndarjen e fesë nga shteti dhe që kundërshtojnë një regjim në Iran që eksporton terrorizmin në botë dhe që shtyp popullin e vet apo që trajton gratë në një mënyrë të tmerrshme dhe duke parë se ata luftojnë kundër kësaj, më jep besim se ata do të jenë qytetarë të mirë kudo që ata shkojnë”, shprehet Chavez.

Sipas Linda Chavez, Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të pranojnë refugjatët të cilët largohen për t’i shpëtuar shtypjes.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb