Procesi i pajtimit dhe bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor po ecën shumë ngadalë, shumë më ngadalë nga sa do të dëshironim, shprehet gazetarja dhe moderatorja e njohur e emisionit televiziv Okruzenje, Zvezdana Kovaç gjatë një interviste për emisionin “Diplomaticus” të gazetarit Erion Kaçorri në televizionin News 24.

Zonja Kovaç që drejton edhe “Qendrën për Demokraci dhe Pajtim në Europën Juglindore (CDRSEE)” shprehet se kjo ndodh për disa arsye. “Në fakt, luftërat e viteve ’90 nuk kanë përfunduar ende. Në një farë mënyre, ato ekzistojnë ende në disa forma. Kjo edhe për shkak se ekzistojnë shumë konteste dypalëshe, ekzistojnë shumë keqkuptime dhe ka një mungesë besimi. Shumë vende nuk kanë arritur që ta vendosin besimin dhe ky duket se është një proces shumë i vështirë. Gjithashtu nuk ka pasur një marrëveshje mbi atë çfarë ka ndodhur, nuk është kërkuar falje, ose nëse është kërkuar falje, ajo nuk ka qenë e sinqertë dhe nuk është shoqëruar me veprime konkrete” deklaron zonja Kovaç për News 24 e cila ndër të tjera nënvizon se jo i gjithë faji për këtë është i ballkanit perëndimor. Sipas Kovaç, Bashkimi Europian nuk duhet tia kthejë shpinën rajonit tonë.
Image1
Gazetarja e njohur flet edhe mbi idenë e hedhur për një union doganor mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, “Pelqej çdo ide që na con drejt integrimit sepse mendoj se integrimet jane procese pozitive, por çështja është nëse është koha e duhur për këtë. Unë mendoj se nuk është koha e duhur sepse nuk ka një situatë të qartë politike në rajon. Sic e thashe edhe në fillim, ka shumë mosmarrëvshje politike, çështje të pazgjidhura dhe nëse ndërtoni diçka mbi një bazë jo të qëndrueshme ajo nuk mund të sjellë ndonjë sukses. Sa i përket asaj se ky union mund të konsiderohet nga disa si një jugosllavi e re, kjo nuk do të ndodhë më kurre sepse ka shume vende që e kanë fituar pavarësinë pas një lufte të përgjakshme dhe nuk ekziston asnjë mundësi për një ide të tille” deklaron Kovaç për News 24.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb