Shqiptaret do të duhet patjetër që të jenë pjesë thelbësore e negociatave për zgjdhjen e çështjes së emrit të Maqedonisë. Deklarata vjen nga kreu i lëvizjes Besa Afrim Gashi në një intervistë për emisionin Diplomaticus të gazetarit Erion Kaçorri në News 24. Sipas Gashit, Shqiptarët në Maqedoni duhet të tregojne interes për këtë kontest.

“Nuk dua të jem shume kritik për partitë më të vjetra shqiptare të cilat kanë qenë në pushtet më herët, por vërtet më është dukur edhe mua ashtu siç e keni edhe ju përceptimin se nuk kanë shfaqur interes shumë serioz në raport me këtë çështje sikur të bëhej fjalë për një emër shteti që është diku nga jugu i Afrikës. Mendoj se emërtimi i shtetit ndikon shumë në identitetin tonë dhe ne do të duhet të identifikohemi nesër me këtë emertim” shprehet politikani shqiptar nga Shkupi.

Sipas Gashit, jemi në një rrugë shumë të mbarë që të gjendet një emër që do të pranohet mbase nga të dyja palët edhe pse emërtimi Republika Maqedonase e Ilindenit mund të mos kalojë. Për këtë arsye Besa është pjesë e qeverisë Zaev. Ne do ta ndihmojmë këtë proces për shkak se jemi të bindur se kjo e çliron Maqedoninë nga kthetrat e historisë dhe e fut atë në një axhendë të së ardhmes, të një shteti të zhvilluar ku të mbizotërojnë vlerat europiane.

Gashi ndër të tjetra konfirmon se partia që ai drejton do të jetë pjesë e qeverisë Zaev duke marrë nën drejtimin ministrinë e kulturës.

“Kemi dashur që personi i cili do ta drejtojë ministrinë e kulturës të mbartë edhe frymën e lëvizjes Besa. Personi i përzgjedhur është në menaxher i shkëlqyer i cili ka një të shkuar politike të mirë. Kemi dashur të jetë një njeri i përkushtuar në detyrën që do të marrë. Ministri i kultures në Maqedoni do të jetë Asaf Ademi, nga Gostivari. Ai ka qënë ambasador i Maqedonisë në Danimarkë. Natyrisht që rreth tij do të mbledhim një grup shumë të mirë njerëzish në mënyrë që ministria e kulturës të jetë sa më e suksesshme” deklaroi politikani Shqiptar nga Maqedonia.

BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb