VLORE-Ministri i Turizmit dhe i Mjedisit Blendi Klosi mbylli në Vlorë ditën e parë të operacionit “Pastrojmë Shqipërinë që duam”. Së bashku me ministrin e Infrastruktures e Energjisë,z. Damian Gjiknuri ,me kryetarin e bashkisë së Vlorës, Dritan Leli dhe qindra aktivistë e vullnetarë kanë pastruar plazhin e vjetër të qytetit bregdetar.

“Kudo që kemi shkuar kemi gjetur një aleancë të madhe popullore përsa i përket problemit të mbetjeve dhe faktikisht vetëm gjatë ditës së sotme arritëm që të evidentojmë një mal të tërë me papastërti të cilat u mënjanuan por në qoftë se ne nuk luftojmë fort që shkaktarët që i shkaktuan këto papastërti të eliminohen ne do ta kemi të pamundur. Së bashku me kryetarin e bashkisë, me ministrin Gjiknuri dhe me prefektin kemi ndjekur aksionin në të gjithë qarkun e Vlorës dhe realisht ndihem shumë mirë që sot kemi pasur mundësinë që të angazhojmë kaq shumë të rinj dhe të reja, të cilët do të jenë gjatë gjithë muajve të operacionit , pjesë themelore e ndërtimit të një skeme për të pastruar Shqipërinë si asnjëherë tjetër”- tha ministri Klosi duke theksuar se mbështetjen e gjerë që ka marrë operacioni i pastrimit nga qytetarët

“Është një operacion i cili ka shumë aspekte dhe ne kemi filluar me guroret, me pikat e prodhimit të inerteve me pikat që grulmbullojnë papastërti si fasonët të cilat nuk kanë një grumbullim të mbetjeve të tyre, por po ashtu një grup ministrash ku ministri Gjiknuri përfaqëson një nga shtyllat kryesore të gjithë këtij aksioni do të ndërmarrim edhe nëpërmjet ndryshimeve ligjore luftë me të gjithë ata që krijojnë papastërti. Guroret janë një problem shumë i madh por nëse ne nuk evidentojmë standartin mbi të cilin ndërkohet një gurore, do të duhet të të shikojmë a e kanë zbatuar lejen mjedisore që kanë marrë për implementimin e parametrave mjedisorë dhe po ashtu lejet minerare të dhëna, ne do të duhet të marrim edhe masa. Pra ky është një operacion i cili shkon në 3 faza; pastrim që ishte sot një ditë, rehabilitim gjatë gjithë këtyre 6 muajve dhe njëkohësisht miratim i ligjeve të paketës së plotë ligjore që krimi mjedisor të jetë i ndëshkueshëm dhe i frenuar, pra që pasi të mbarojmë këtë pastrim të mos na përsëritet më kjo situatë” përfundoi fjalën e tij ministri Klosi i cili falenderoi kryetarin e bashkisë së Vlorës për mbështetjen e dhënë gjatë pastrimit të qytetit.

Operacioni “Pastrojmë Shqipërinë që duam” filloi me aksionin në nivel kombëtar më 24 nëntor. Ministri i Turizmit dhe i Mjedisit e shpalli hapjen e aksionit të parë në Qesarakë të Tiranës dhe e mbylli në qytetin e Vlorës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: