Nga: KIÇO BLUSHI*
Askush nuk e mohon dot që ne jemi të pajisur me aftësinë e mrekullueshme që të festojmë edhe humbjen si fi tore, të kthejmë edhe dhimbjen në forcë me një lehtësi të habitshme, ashtu si vuajtjen, papunësinë, mjerimin dhe mungesën e standardeve i mbulojmë aq kollaj me…me një “byth’ e plasur”!
Ky quhet vitalitet: Të shpërfillësh sigurinë dhe mirëqenien, duke u kënaqur me mbijetesën!
Askush nuk e mohon dot, sidomos pas pritjes solemne dhe madhështore të Kombëtares së futbollit nga qeveria dhe kryeministri Rama, që kjo cilësi e jona buron nga fakti që ne vazhdojmë të ndihemi populli më krenar i Ballkanit, i Evropës e më gjerë. Po përse jemi kaq krenarë? Për ç’ka? Që “hymë në histori” me Kombëtaren e futbollit? Meqë për herë të parë u kualifikuam dhe bëmë një gol?
Askush nuk di të thotë një arsye tjetër, më të qenësishme se kjo. Asnjë analist deri më sot nuk i ka hyrë gjykimit të kësaj dukurie dhe teme të vështirë të krenarisë tonë të pashpjegueshme. Dhe ndoshta mirë ka bërë. Edhe kërmilli është i kënaqur brenda guackës së vet, sa kohë nuk ndjehet i rrezikuar.
Në shoqërinë tonë demokratike pyetja “përse jemi kaq krenarë?”, sot për sot ngjan kotanake. Madje as nuk duhet shtruar. E as nuk duhet shkuar nëpër mend. Mjaft që jemi krenarë. Askush nuk ka të drejtë të vrasë mendjen dhe entuziazmin, e sidomos thirrmën e këngëzuar “O sa mir’ me ken’ shqiptar”, që ilustron bukur fort ndjenjën e papërshkruar të krenarisë tonë, teksa tash e recitojmë dhe e këndojmë me zë të lartë nëpër sheshe, stadiume dhe tubime jo vetëm në atdhe, por edhe nëpër botë.
Qeveritë tona, gjithmonë gëzohen dhe çlirohen nga makthet kur populli del në rrugë dhe këndon, kur krenohet e kremton, kur brohoret dhe duartroket, e, për më tepër, edhe kur nuk e di përse ndjehet aq i lumtur, aq i gëzuar, përse feston: Për humbjen apo për fitoren? Për suksesin apo për dështimin? Mjaft që armiqtë tanë të vdesin nga zilia!
Në këtë drejtim qeveritarët investojnë pa kursim, jo vetëm me propagandë, por edhe me financime, me spektakle sa më madhështore. Rama i kushton gjithë vëmendjen kësaj trysnie të papërballueshme mediatike, jo vetëm se është me gen artisti, se ka fatin të jetë piktor e të vlerësojë ngjyrat, por se tani është kryeministër fuqiplotë. Kjo i jep atij të drejtën “ekskluzive” të besojë se kësisoj do të mbetet i fiksuar në histori e në kujtesë. Ndaj deklaron se i stilon vetë bluzat e kombëtares, sjell autobus-ballkon të tipit londinez nga Maqedonia, që futbollistët të na përshëndesin nga Rinasi e deri në Kryeministri…Qeveria çdo eveniment kësodore të kombëtares e përdor si atëbotë kolonizatorët gënjenin indianët me një copë magnet apo akull…
E më tej, për t‘u treguar sa më atdhetar fal (sigurisht jo nga xhepi i vet) një milion euro për një gol, shpërndan pasaporta diplomatike, mban fjalime prekëse, historike, drithëronjëse, sepse ai e di që krenaria boshe është himni ynë. Paçka se ne qenkemi italianizuar, si tha para disa ditësh në një takim me biznesmenë, jo vetëm në futboll, por në të gjitha fushat!
Ky lloj manipulimi është ushqimi ynë i përditshëm, ndonëse edhe pse rëndom na serviret me lugën bosh, nuk e ka falur Zoti, as djersa, po qeveria. Makineria e saj e posterave dhe fasadave shkëlqimtare. Sepse puna kryesore e qeverisë është nepsi për t’u dukur krejt ndryshe nga ç’jemi. Sepse për rilindasit e sotëm më shumë rëndësi ka performanca qeveritare, se mënyra e jetesës dhe e bashkëjetesës së popullit…Dhe se punët publike që bënë. Sepse besohet se ky është “optimizmi” i domosdoshëm dhe i vetëm që na ka mbetur: Tullumbacet, euforia, fjalimet, premtimet, flamurët kuqezi, “retë” nga bota, fanellat e kombëtares dhe ndonjë gol i shënuar në Evropian…Ajri ynë kombëtar tashmë janë fasadat, pedonalet, sfilatat, kostumet firmato të krerëve, batutat e ndërsjella shpotitëse, d.m.th dukja tejet origjinal e me çdo mënyrë para syve të botës.
Aq e vërtetë është kjo sa, po të hedhësh hije dyshimi mbi këtë veti të stimuluar enkas nga propaganda qeveritare, mund të duket se po bën një sjellje provokative, dashakeqe, pse jo, edhe antikombëtare. Lipset të shtiresh krenar, edhe kur nuk e di shkakun. Sepse rëndësi ka që ne duhet të dukemi më krenarë se të gjithë popujt që na rrethojnë. Sepse duke qenë (duke u dukur!) kaq tepër krenarë, vetëkuptohet që do të ngjajmë automatikisht edhe tejet të kënaqur e të lumtur. Ndërkombëtarët që venë e vijnë nuk kanë faj që e pëlqejnë dukjen, të cilën e quajnë ndryshim, teksa kalojnë në rrugën me palma e drita të kuqe nga Rinasi në Tiranë…E përse dhe a mund të dinë ata si jetojnë katundarët në Shën Gjergj apo në Lurë?
Vitrina e rrugës Rinas -Tiranë besohet se mjafton për të bindur më së pari veten dhe më pas edhe ndërkombëtarët që qeveritarët tanë nuk janë si pararendësit, por ama nuk janë as provincialë ballkanikë, por krejt të ndryshëm…”O sa mir’ me ken’ shqiptar!”
***
Sa më sipër edhe mua, këto ditë do të më dukej kjo një përsiatje cinike, e padrejtë, po të mos kishte ndodhur ndërkohë një ngjarje terroriste, e cila thuajse ka kaluar në heshtje, paçka se do të kishte tronditur çdo shoqëri e qeveri përnjëmend demokratike: Rrëmbimi prej dhjetë ditësh i dy marinarëve shqiptarë nga një egjiptian.
Teksa presidenti, kryeministri, ministrat dhe deputetët shkonin në Francë të ndiqnin live ndeshjet e kombëtares, në ujërat e Mesdheut, diku afër Egjiptit (kjo hë-për-hë nuk dihet me saktësi) një peshkatar egjiptian mban lidhur me zinxhirë prej dy javësh marinarët shqiptarë, duke kërcënuar se do të mbysë anijen bashkë me kolegët, po qe se nuk do t’i jepen 70 ose 100 mijë euro…
Dihet se tek ne nuk bëjnë më përshtypje kronikat e zeza, vrasjet, aksidentet, rrahjet e përdhunimet, ato që ndodhin jashtë pragut të shtëpisë tonë…Por mesa duket nuk na lënë mbresë as aktet terroriste.
Por ajo që të trondit është edhe më e rëndë: Si shpjegohet që prej dy javësh, as qeveria, as Ministria e Brendshme, as ajo e Jashtme, as radarët, as autoritetet portuale, as Guardia Italiane që patrullon detet tona, as helikopterët ushtarakë të sofistikuar që fotografojnë parcelat me kanabis, as Kuvendi, as partitë, as ushtria jonë e anëtarësuar në NATO…nuk pipëtijnë, nuk kërkojnë, nuk njoftojnë, nuk bëjnë sikur po çajnë kryet për këtë akt terrorist? Edhe nëse dy shqiptarët janë bashkëpunëtorë me egjiptianin, si po thuhet së fundi, kjo nuk e justifikon heshtjen qeveritare, përkundrazi. Nuk ka qeveri që hesht kur kriminalizohet shoqëria deri në atë shkallë sa qytetarët e vet të shtiren, për të fituar një “gjobë”, si të marrë peng nga terroristët. Këto krime nuk i zgjidh një qytetar i vetëm, as një familje, por qeveria, institucionet e saj të sigurisë.
Kaq pak ka vlerë jeta e qytetarëve shqiptarë për qeverinë? Cila qeveri në botë do të guxonte të sillej kështu, kaq mospërfillëse? I keni parë amerikanët, francezët, gjermanët, italianët, apo cilindo shtet tjetër të botës ç’bën për të shpëtuar e liruar një gazetar, ushtar a qytetar të tyre, të kapur nga ISIS-tët? Mos vallë ata kanë më shumë vlera njerëzore, edhe pse janë më pak krenarë se ne?
Kjo heshtje e institucioneve të shtetit nuk mund të ilustrohet me shprehjen e kahmotshme: Fshati digjet…qeveria krihet. Sepse kjo heshtje është pak ta quash vrastare. Vrastare e besimit të ndërsjellë qytetar-shtet, qytetar-qeveri, zgjedhës – i zgjedhur, pse jo edhe qytetar – atdhe…Ja përse ne zëmë vendin e parë, pas Sirisë, për emigracion. Sepse një qeveri e ka detyrë parësore të provojë se është e aftë të mbrojë qytetarët e vet. Një qeveri që nuk e do dhe nuk e mbron qytetarin e vet, që kapardiset, që sfilon dhe krihet para pasqyrës së televizioneve natë e ditë, teksa qytetarët e vet vuajnë, vriten si miza rrugëve, apo kapin e mbajnë njëri-tjetrin peng, nuk të bën të ndjehesh dhe aq krenar.
Po ç’rëndësi ka kjo në një shtet të ndërtuar sipas modelit fan-zone, ku më rëndësi ka si dukesh, se sa çfarë je në të vërtetë?!

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: