Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati priti sot në një vizitë zyrtare Zëvendës Kryeministrin e Parë dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli.

Gjatë takimit Ministri Bushati nënvizoi se vizita e parë e homologut Pacolli pikërisht në Tiranë përbën padyshim sinjalin më të shkëlqyer të bashkëpunimit të ngushtë politik e vëllazëror mes dy qeverive. Gjithashtu, ai evidentoi kontributin e pazëvendësueshëm të z. Pacolli në shtetndërtimin e Kosovës dhe në veçanti në fuqizimin e sovranitetit dhe subjektivitetin e saj ndërkombëtar.

Dy bashkëbiseduesit ndanë mendimin se Partneriteti Strategjik e gjithëpërfshirës mes dy vendeve tona, në të gjitha fushat dhe nivelet, shërben si një model dhe inkurajim për bashkëpunimin rajonal.

Mbajtja e takimit të radhës në vendin tonë mes dy qeverive, brenda këtij viti, do të jetë në funksion të një bashkëpunimi pragmatik dhe rezultativ që rrezaton vlerë të shtuar jo vetëm në ekuilibrat gjeopolitikë të rajonit, por edhe në perspektivën e përbashkët euro-atlantike.

Të dy zyrtarët diskutuan edhe për sa i përket nevojës për racionalizimin e forcave, burimeve njerëzore në përfaqësimin diplomatik e konsullor. “Është ambicia jonë e përbashkët për ta zgjeruar hartën e bashkëveprimit politik e diplomatik për t’i shërbyer sa më mirë shtetasve tanë”, theksoi Bushati.

Ministri Bushati shprehu bindjen se hapat e ndërmarra deri më tani me Kosovën në kuadër të unifikimit të tregjeve, rrëzimit të barrierave tregtare, ndërlidhjes infrastrukturore dhe energjetike janë premisë e shkëlqyer për nxitjen e interesave tona në kuadër të Procesit të Berlinit dhe veçanërisht jetësimin e objektivave të parashtruara në Samitin e Triestes për një treg të përbashkët rajonal.

Në këtë kuadër, së shpejti pritet vënia në funksion e një pike doganore të Kosovës në Portin e Durrësit, që do krijojë lehtësira të mëtejshme në qarkullimin e mallrave.

Ministri Bushati rikonfirmoi sërish mbështetjen e Shqipërisë në të gjitha proceset që po kalon Kosova, veçanërisht në avancimin e njohjeve e të anëtarësimeve në forumet ndërkombëtare, bashkëpunimin me NATO-n dhe BE-në.

Nga ana e tij, Zëvendës Kryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës Behgjet Pacolli uroi Ministrin Bushati për rikonfirmimin në detyrë si dhe nënvizoi nevojën e vijimit të misioneve diplomatike të përbashkëta. Zëvendëskryeministri Pacolli u ndal gjithashtu tek lëvizja e lirë për të cilën shprehu bindjen se mes qeverisë “Rama 2” dhe Haradinaj do të implementohet plotësisht.

Në vijim të vizitës së tij në Tiranë, Zëvendëskryeministri Pacolli zhvilloi një takim me Kryeministrin, Edi Rama si dhe do të pritet nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta.

(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: