TIRANE- Qeveria deklaron se ka përfunduar dixhitalizimin e plotë të të dhënave për 80 mijë familje që rrojnë me ndihmë ekonomike, si dhe rreth 150 mijë persona me aftësi të kufizuar. Të dhënat janë hedhur në një regjistër kombëtar elektronik që do të jetë i aksesueshëm nga çdo njësi e shërbimit social në nivel vendor dhe qendror.

“Ky sistem komunikon me të gjitha institucionet përgjegjëse për ofrimin e shërbimeve. Për herë të parë në këtë sallë, po krijohet një arkivë digjitale për 154 mijë individë me aftësi të kufizuara, e cila përmban çdo dokument me historinë e paaftësisë, për të gjithë ata që përfitojnë nga pagesat e aftësisë së kufizuar.

Çdo administrator i këtij sistemi, ka mundësi që të identifikojë në kohë reale: çdo të dhënë për familjen nëse është në skemën e ndihmës ekonomike apo jo; ka mundësi të verifikojë individin, nëse është me aftësi të kufizuara apo nëse është përfitues i shërbimeve sociale, duke evituar marrjen e një sërë vërtetimesh për gjendjen familjare të tyre”.

Për ministren e linjës, databaza kombëtare elektronike do të reduktojë në vetëm një sportel shërbimet sociale për kategoritë përfituese, duke eliminuar sorollatjet dhe procedurat burokratike.

“Sot, një personi me aftësi të kufizuara, nuk do t’i duhet më të rropatet nga një spital në tjetrin për të marrë vërtetime dhe epikriza. Sot sistemi elektronik mundëson asistimin e tyre vetëm nga mjeku apo punonjësi social për të plotësuar vetëm një formular, duke evituar kështu kalvarin e vajtjes nga një institucion në tjetrin.

Një person me aftësi të kufizuara, përpara krijimit të regjistrit elektronik, për të marrë përfitimin nga sistemi i vlerësimit të aftësisë të kufizuar, i duhej të sorrollatej në mjekë, mund ti kërkohej shtrim në spital, i nevojiteshin vërtetime të ndryshme për paaftësinë e tij, i duhej vërtetimi i gjendjes social ekonomike, vërtetime nga komisioni mjeko-ligjor etj. E gjitha kjo, për t’ju drejtuar një komisioni tërësisht mjekësor, për të marrë vetëm një diagnozë mjekësore.

Pra siç e shikoni një sërë vërtetimesh dhe ecejakesh, të cilat kërkojnë të paktën rreth 1 muaj kohë”, tha ministrja Xhaçka.

Por sipas ekspertëve, sistemi i ri i të dhënave është ende në fazë pilotimi në njësitë administrative 6 dhe 7 në Tiranë për një afat 6-mujor dhe më pas do të shihet mundësia për shtrirjen në të gjithë vendin.

Përmes regjistrit elektronik, çdo e dhënë apo vlerësim i situatës që është hedhur në sistem, kontrollohet në kohë reale nga inspektorët e zyrave rajonale, administratorët socialë, si dhe mjekët dhe punonjësit socialë që do të bëjnë edhe pastrimin e skemës së përfitimit social nga abuzuesit.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: