NGA ADELA XHAMANI*
Tashmë dihet që ku luajnë muzikë ata të dy, atmosfera është e garantuar. Të rritur në një prej lagjeve të Prishtinës, me një pasion të përbashkët që në vegjëli, Iliri dhe Edoni i kaluan bashkë të gjitha etapat derisa u bënë të famshmit DJ Blunt dhe Real One. Në një intervistë të sinqertë për “Summer Pages”, ata na tregojnë historinë e tyre duke u përqendruar më së shumti tek e tashmja. I pret një verë e mbushur me punë, dhe kur të gjithë t’i rikthehen përditshmërisë, artistët do të nisen për pushime. Këto ditë po bëjnë tendencë me “Xhinset”, madje flasin për ato të shkurtrat, që të paktën në Tiranë, filluan të bënin tendencë që verën e kaluar. “Xhinset”, një këngë e pëlqyer, tejet e klikuar, të cilën me siguri do ta dëgjoni shpejt, në club-in e parë ku do të shkoni. Por, sa e frekuentojnë shqiptarët jetën e natës, çfarë muzike preferojnë e ku është fluksi më i madh? Këto dhe të tjera, mund t’i lexoni në rrëfimin e dy “dixhejve” më interesantë të verës.

DJ Blunt dhe Real One, a mund të na thoni fillimisht emrat tuaj të vërtetë dhe pse keni zgjedhur të mbani pseudonime?
Blunt: Unë quhem Edon.
Real 1: Ndërsa unë quhem Ilir.
Blunt: Me emrat tanë të vërtetë na thërrasin vetëm familjarët ose miqtë e afërt. Përdorimi i pseudonimeve është zgjedhje e shumë artistëve, jo vetëm shqiptarë, por në të gjithë botën. Ndoshta nuk është e nevojshme për një artist që njerëzit t’i dinë emrin, por të njohin artin e tij.
Real 1: Mua më thërrasin Zhita, se kështu e kam mbiemrin dhe më ka mbetur që i vogël. Mirëpo unë ndihem më mirë kur më thërrasin Real.
Dimë që vini shpesh në Tiranë, çfarë ju pëlqen më së shumti këtu?
Po, është e vërtetë, në Tiranë prej shumë vitesh vijmë shpesh. Përgjithësisht Shqipërinë e duam shumë, si Tiranën ashtu edhe bregdetin. Njohim plot njerëz këtu e kemi krijuar shoqëri të madhe.
Ndonjëri nga ju, mos ka të dashurën në Tiranë?
Jo, të dashur nuk kemi hiç, por mund ta kemi në të ardhmen një gocë Tirane, pse jo.
Po si ka mundësi që dy djem të rinj, të famshëm, të suksesshëm s’kanë të dashur? Pse?
Në rastin tonë i ka fajet puna. Po të lidhemi me vajza që kanë punë normale, ato do ta kenë problem punën tonë. Ne s’kemi orar, jemi krejt kohën rrugëve.
Mirë, flasim pak për xhinset. Pse vendosët t’u këndoni xhinseve?
I kemi kënduar se xhinset janë gjithmonë në modë, i veshin të gjithë. Kjo ide ka lindur që një vit më parë. Është një temë e kapshme, se të gjithë i pëlqejnë xhinset e sidomos vajzat. Është edhe temë verore, se femrat i veshin shpesh tani xhinset e shkurtra, sidomos në Tiranë, ku kemi parë shumë prej tyre. Dhe ku i shohim, i pyesim: A po ju vijnë tamam?
Dhe pikërisht xhinset e shkurtra janë detaji që keni zgjedhur të shfaqet më së shumti në videoklip, teksa fytyra e vajzës që i mban veshur nuk del në asnjë moment. A nuk është pak banalizim i figurës së femrës, duke nxjerrë vetëm të pasmet e saj?
Jo, aspak! Vetë vajza që shfaqet në klip nuk ka dashur ta ekspozojë fytyrën. Ne nuk i nënvlerësojmë kurrë femrat, jo në klip, po as në jetë të përditshme, nuk kemi lidhje me atë punë. Vajza në klip është gjithë kohës duke i provu xhinset që nuk i vijnë tamam, dhe është më shumë si gallatë.
Blunt: Unë kam dy motra dhe di me e respektu femrën e jam kundër atyre njerëzve që e bëjnë.
Mamatë tuaja, e kanë parë këtë videoklip?
Blunt: (qesh) Jo, akoma, po kur ta shohë, e di që direkt do të thotë “Ça është ajo vajzë aty?”…
Real 1: Nëna ime e ka parë dhe s’e ka fare problem, me këto sene janë mësuar familja ime.
A mendoni se ky detaj do të rrisë edhe më shumë klikimet e këngës?
Mendojmë se po pritet mirë kënga dhe shumica do e klikojnë videon për të dëgjuar këngë, dhe pse jo për të parë edhe xhinset. Këngën po e presin po aq mirë edhe kur e këndojmë ne ‘live’ dhe kjo është me rëndësi.
Si pritet të jetë për ju vera? E dimë që në diskoteka jeni shumë të kërkuar. Si e keni axhendën sivjet?
Jemi goxha plot. Deri në fund të gushtit kemi koncerte nëpër bregdet nga Shkodra në Sarandë e po ashtu në Tiranë. Por edhe në Ulqin, Kosovë e Maqedoni.
Sa ndryshojnë preferencat muzikore të njerëzve nga Shqipëria në Kosovë, apo nga qytetet në Tiranë?
Ne të njëjtat këngë luajmë kudo, sepse preferencat në fakt nuk ndryshojnë. Ajo që mund të ndodhë me këngët tona është që, në një vend mund të pëlqehet më shumë një këngë se një tjetër, por ne kemi një repertor të gjerë dhe kjo është normale. Për shembull, dikush do të dëgjojë “Ki mem lyp” e dikush tjetër “Nëse m’don ti”.
Ku frekuentohet më shumë jeta e natës në Shqipëri apo në Kosovë?
Definitivisht në Tiranë dhe në Prishtinë njerëzit dalin më shumë. Këto dy qytete janë ‘full’ përgjatë gjithë vitit. Pastaj, në të tjera vende ka shumë lëvizje gjatë verës, ndërsa pak në dimër.
Po pagesën, ku e merrni më të mirë?
Gjithandej të mirë e kemi.
Sa merrni për një natë?
Nuk e tregojmë. Për këto nuk flitet (qeshin).
Real, dimë që gjatë performancave tuaja ‘live’, në një moment të caktuar të mbrëmjes ti gjithmonë zhvishesh. Pse?
Nga pasioni. Ndihem mirë dhe e heq maicën.
Duke qenë se pjesë e performancës tënde është edhe zhveshja, a ke tentuar të bësh një trup pak më muskulor?
Jo, mirë jam, nuk jam keq (qesh). Mua më duan kështu siç jam.
Dimë që je edhe vegjetarian. Pse kjo zgjedhje?
Që i vogël nuk e kam preferuar mishin, nuk e kam ngrënë. Mirëpo kjo nuk ka ndikuar aspak në shëndetin tim. E zëvendësoj me perime. Sidomos tani gjatë verës jua sugjeroj edhe ju.
Pushimet, kur i bëni ju djema? Edhe për pushime bashkë shkoni?
Në shtator ose tetor gjithmonë. Zakonisht shkojmë në bregdet, në jug të Shqipërisë ose në Ulqin. Pushimet i bëjmë me familjen, se bashkë jemi gjithë vitin. Ose me ndonjë të dashur (qeshin).
Prej sa vitesh bashkëpunoni?
Ne bashkëpunojmë prej 20 vjetësh.
A s’jeni mërzitur me njëri-tjetrin?
Jo, ne jemi rritur bashkë në një lagje e jemi si vëllezër.
Blunt: Unë për disa kohë kam jetuar jashtë vendit dhe andej kam filluar të merrem me muzikë. Kur jam kthyer në Kosovë dhe kam ritakuar Real-in, atëherë kemi nisur të bëjmë muzikë bashkë. Fillimisht krijuam një grup, dhe më pas mbetëm vetëm ne të dy e po vazhdojmë siç na shikoni.
Ju jeni rritur në Prishtinë. Si është reagimi i njerëzve kur ju shohin në rrugët e qytetit?
Në Prishtinë na duan shumë, por na shohin shpesh. Na ndodh që na ndalojnë njerëzit në rrugë më shumë në Tiranë, se na kanë parë ndoshta vetëm në televizor.
Ju vijnë shumë mesazhe në “Facebook” gjatë ditës? Çfarë ju shkruajnë zakonisht?
Real 1: “Facebook”-un tonë e menaxhoj unë. Vijnë përditë shumë mesazhe e na pyesin për këngët, për koncertet. Ajo që po na ndodh së fundmi edhe në “Instagram” është që fansat na çojnë video për xhinset e kjo na pëlqen pa masë. Na dërgojnë edhe foto duke i provu xhinset. Ne na kënaqin, i respektojmë shumë të gjithë fansat dhe kontaktojmë shpesh me ta.
Çfarë bëni ju kur mbaron e gjithë euforia verore e vjen tetori, nëntori?
Atëherë fillojnë koncertet jashtë, te shqiptarët e diasporës në shtete të ndryshme. Por, sigurisht që edhe Tirana e Prishtina vazhdojnë edhe në dimër.
Ata, çfarë muzike pëlqejnë më së shumti? Ju kërkojnë këngë të tjera veç tuajave?
Po, në fakt na kërkojnë këngë nga më të ndryshmet shqip, dhe ne jemi gjithmonë gati. Bëjmë muzikën që duan ata.
Pra, pak a shumë kështu shkon viti për Dj Blunt e Real One. Të martoheni e të bëheni me fëmijë, kur e keni në plan?
Aaa, kjo është problem. I kemi ngritur duart lart, jemi dorëzuar, se nuk e dimë. Jemi shumë të zënë me punë dhe shpresojmë që të takojmë të dy nga një vajzë të mirë që e kupton edhe punën tonë. Të ishte nga Tirana, do ishte edhe më mirë (qeshin)!
Një këngëtare do t’ju kuptonte më së miri…
Jooo, nuk e duam. Nuk e kemi me qejf.
Blunt: Unë këngëtar, ajo këngëtare, i bie të mos takohemi kurrë.
Real 1: As unë këngëtare s’e marr. S’ka kuptim të bëjmë të dy të njëjtën punë. Punën ajo ta kupton, por puna është se nuk do e shohësh kurrë.
A nuk ju duket se po kalojnë shumë vite?
Jo, jemi të rinj akoma, kemi kohë boll.

(d.b/SummerPages/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb