TIRANE – Demokratët nuk do të rikthehen në Kuvend as për të shpëtuar mandatet e tyre. Më 18 dhjetor parlamenti do të mblidhet për herë të fundit në seancë plenare këtë vit, çka do të thotë se ky është momenti i fundit brenda rrjedhës normale parlamentare që Partia Demokratike të mos djegë mandatet e deputetëve të saj, që skadojnë më 10 janar. “Ne nuk bëjmë llogari aritmetike. Vendimi ynë për të dalë nga parlamenti është vendim politik dhe ne nuk mund të rrimë e të shohim datën se kur do skadojë mandati. Ato llogari le t’i bëjë Rama me Metën. Kemi marrë një vendim politik dhe do t’i qëndrojmë deri në fund”, – tha dje kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka për TCH.

“Nëse nuk zbatohet ajo që ne kërkojmë, pra një marrëveshje nën monitorim ndërkombëtar që kjo qeveri, kjo mazhorancë të zbatojë ligjin dhe Kushtetutën, atëherë ne, me atë të ashtuquajtur parlament s’kemi asnjë lidhje”, – u shpreh Paloka. Gjatë 3 javëve të fundit mazhoranca ka miratuar dy prej kërkesave të opozitës, zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese me ngritjen e Komisionit Hetimor dhe Ndryshimin e Rregullores për të drejtën e fjalës nga opozita menjëherë pas kryeministrit. Por për kreun e grupit kuvendor të PD-së, këto veprime janë jo vetëm të vonuara, por edhe tallje me shtetin ligjor.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb