Të premten analizat e kryera nga stafi mjekësor i vunë vulën asaj që pritej pas finales në kupën e Francës, Dani Alves nuk do të jetë në Botëror me Brazilin. Futbollisti i Paris SG ndoshta e kishte mundësinë e fundit këtë pjesëmarrje, pavarësisht se ai premton se do të përpiqet edhe në 2022.

Për mungesën e tij ai ka shkruar një letër për “The Players Tribune” ku i kërkon njerzëve të mos mërziten për të pasi Dani Alves i ka jetuar ëndrrat e veta.

“Mjekët më thanë që duhet të prisnim analizat, por unë e ndjeja që gjithçka kishte mbaruar për mua. Më patë duke qeshur gjatë festimeve për Kupën e Francës sepse nuk doja të prishja festën për shokët, por në sytë e mi dukej që diçka nuk shkonte mirë. Më lejoni të them një gjë: mos qani për mua! Nuk dua që të ndjeni mëshirë për mua. I kam jetuar ëndrrat e mia. Nuk do të shkoj në Botërorin e Rusisë, por jam i lumtur”.

Në lidhje me të ardhmen e tij, mbrojtësi i djathtë sqaron: “Nuk ndihem i vjetër. Siç e shikoni dhe vetë, kam shpirtin e një 13-vjeçari. Ndoshta në vitin 2022 do të jem duke luftuar për një vend në kombëtaren e Brazilit. Do të jem 39 vjeç atëherë, por shpirti im do të ketë mbushur 17”.

Alves do të jetë një tifoz i madh i Brazilit në Rusi, si gjithmonë: “Do të jemë duke parë seleçaon në të njëjtën mënyrë si në kohën kur isha një djalë i vogël, në fermë. Vetëm se këtë herë televizori do të jetë shumë më i madh.”

Shkrimi i 35-vjeçarit vazhdon: “Nëqoftëse Brazili fiton Botërorin nuk do të bërtas, por për herë të parë, jua premtoj, do të kem mbyllur gojën, nuk do të ketë asnjë fjalë nga Dani Alves, nuk do të them asgjë, vetëm do qaj.”

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb