TIRANË- Një video e publikuar dje tregonte momentin e një sherri në Kombinat mes 3 personave pas një aksidenti që janë konfrontuar rëndë me fjalë e sharje dhe më pas dy vëllezër dhunojnë drejtuesin e njërës prej makinave.

Por ajo që bënte çudi ishte fakti se të pranishëm në vendngjarje ndodheshin dy efektivë të policisë së shtetit të cilët nuk kryejnë asnjë veprim për neutralizimin e situatës.

Njëri nga personat i përfshirë në sherr kërcënon rëndë drejtuesin tjetër duke i thënë “ta qis armën dhe ta fus plumbin në gojë” dhe madje nuk ngurron t’i godasë edhe me grushte policët.

Lidhur me këtë ka reaguar Policia e Tiranës duke thënë se policët ishin 2 efektivë patrulle dhe se kanë kërkuar ndihmë dhe forca të tjera për të shuar konfliktin që ka përfunduar me arrestimin e dy vëllezërve.

DEKLARATA E POLICISË
Në lidhje me një video që është shfaqur në median online ku janë konfliktuar disa persona në prezencë të dy punonjësve me uniformë të policisë, ndaj të cilëve janë përdorur fjalë fyese dhe kërcënuese ju bëjmë me dije se:

Punonjësit e policisë të shfaqur në video janë 2 efektivat e patrullës së përgjithshme, pranë Komisariatit nr.6, të cilët kanë qenë të planizuar me shërbim, (patrullë këmbësore) në zonën e Kombinatit.

Gjatë patrullimit, dy punonjësit e policisë kanë dëgjuar të bërtitura dhe kanë konstatuar një konflikt fizik midis tre personave.

Nga ana e dy punonjësve të patrullës është bërë njoftimi në radio i Sallës së Komandimit në D.V.P. Tiranë për të afruar shërbime të tjera policore dhe është ndërhyrë nga ana e tyre për neutralizimin e konfliktit.

Në ndërhyrje e sipër për ndarjen e palëve të përfshirë në konflikt fizik, ku shtetasit Bajram Koci, 34 vjeç dhe Armando Koci, 26 vjeç, (të dy nën ndikimin e alkoolit) po dhunonin fizikisht shtetasin E.Sh., 38 vjeç, dy punonjësit e policisë kanë hasur rezistencë fizike nga dy shtetasit e alkoolizuar, të cilët kanë përdorur fjalë fyese dhe ofenduese ndaj dy punonjësve të policisë.

Me ardhjen e shërbimeve shtesë të policisë u bë i mundur neutralizimi i tre shtetasve të përfshirë në konflikt dhe shoqërimi i tyre në ambientet e policisë. Shtetasit Bajram Koci, 34 vjeç dhe Armando Koci, 26 vjeç (vëllezër) u arrestuan për veprën penale “Kundërshtim dhe goditje për shkak të detyrës”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: