Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të gjitha pasuritë e patundshme që ishin në emër të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, përkatësisht të ish-Republikës Socialiste të Serbisë që ndodhen në Kosovë të regjistrohen tashmë si prona të Kosovës.

Në vendimin e firmosur nga kryeministri i vendit Isa Mustafa detyrohet “Agjencia e Kadastrës së Kosovës që ta bëjë regjistrimin e të drejtës pronësore sipas procedurave brenda afatit që është përcaktuar me ligj”.

Ministrja e Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Dhurata Hoxha, i tha Radios Evropa e Lirë, se çështja e pronave në territorin e Kosovës “nuk mund të jetë pjesë e bisedimeve që zhvillohen në Bruksel ndërmjet Kosovës e Serbisë”.

Ajo tha se me vendimin për kalimin në pronësi të Kosovës të pronave të paluajtshme të ish-Jugosllavisë, Serbisë dhe të Krahinës Autonome të Kosovës, qeveria e Kosovës ka vepruar “njësoj sikurse edhe të gjitha ish-republikat e ish-Federatës jugosllave”.

Deklaratat e ministres Hoxha pasuan reagimet e zyrtarëve të Qeversisë së Serbisë dhe të përfaqësuesve të serbëve të Kosovës që e cilësuan vendimin e Qeverisë së Kosovës për pronat e paluajtshme si “të jashtëligjshëm”

“Për pronat në territorin e Republikës së Kosovës kemi pavarësi të plotë, kemi sovranitetin dhe nuk ka nevojë të bisedojmë me askënd tjetër. Është çështje që si shtet e vendosim vetë. Sikurse ish-republikat e tjera të ish-Jugosllavisë e kanë përdorur të njëjtën praktikë”, tha ministrja Hoxha.

Qeveria e Kosovës me një vendim të saj të para dy javëve ka vendosur që të gjithë pronën e patundshme të regjistruar në emër të RSFJ-së, Republikës së Jugosllavisë, Serbisë dhe Krahinës Autonome të Kosovës, ta kalojë në pronësi të Republikës së Kosovës.

Sipas vendimit në këtë pronësi përfshihen patundshmëritë shtetërore, administrative, ushtarake dhe të organizatave shoqëroro-politike.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Ramiz Kelmendi, që ka nisur këtë proces, tha se kjo çështje është dashur të përfundojë që ditën kur Kosova ka shpallur pavarësinë e saj.

Kelmendi ka thënë se shumica e komunave në Kosovë janë ‘përballur me problemin e zhvillimit të hapësirave ekonomike sepse parcela të caktuara i kanë takuar Ushtrisë së Jugosllavisë’.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, tha të mërkurën se do t’i “propozojë qeverisë së Serbisë ta anulojë vendimin e ‘jashtëligjshëm’ të autoriteteve në Prishtinë për përvetësimin e pasurisë së Serbisë, me të cilin duan ta legalizojnë ‘grabitjen’”.

Gjuriç që takoi përfaqësuesit e serbëve të Kosovës pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për kalimin në pronësi të saj të pronave të ish-Jugosllavisë, Serbisë dhe të Krahinës Autonome të Kosovës, tha se “qeveria e Serbisë sikurse në rastin e ligjit për Trepçën të cilin e ka anuluar, ka arritur që me sukses të mbrojë interesat kombëtare kur Prishtina deshi ta rrëmbente kombinatin”.

“Konsideroj se është me rëndësi që bashkësia ndërkombëtare konkretisht, me vendosmëri dhe qartë të deklarohet për çështjen e këtij akti kriminal dhe vendimi kriminal, siç kanë bërë edhe në rastin e përpjekjes për të krijuar në territorin e krahinës sonë jugore, të ashtuquajturën ‘ushtri’”, ka thënë Gjuriç.

Kryetari i Listës Serbe, Slavko Simiç, ndërkaq ka deklaruar se vendimi i Qeverisë së Kosovës “është represiv dhe ai duhet menjëherë të tërhiqet”.

“Vendimi i Qeverisë së Kosovës është tendencioz dhe paraqet përpjekje që përmes vendimeve të institucioneve të Kosovës të vazhdohet represioni mbi popullatën serbe në Kosovë dhe Metohi, me marrjen e pasurisë shoqërore e private të popullit serb”, ka thënë Simiç, citojnë mediat serbe.

Por, ministrja e Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Dhurata Hoxha tha se serbët e Kosovës mund të kenë opinionet e tyre, por vendimet i merr qeveria e Kosovës.

“Ata mund ta konsiderojnë ose të kenë opinionet e tyre. Por, në Republikën e Kosovës vendos Qeveria e Republikës së Kosovës dhe ne kemi marrë vendim krahas ligjeve në fuqi”.

Daqiç: Vendimi i Kosovës ilegal dhe i papranueshëm
“Vendimi i Qeverisë së Kosovës që të gjitha pasuritë e paluajtshme të regjistruara në emër të RSFJ-së t’i regjistrojë në emër të Kosovës, për Serbinë janë të plotësisht ilegale, të papranueshme dhe nuk kanë rëndësi juridike”, deklaroi të mërkurën zëvendëskryeministri i parë i Serbisë, Ivica Daçiç.

“Ky është edhe një hap i njëanshëm i Prishtinës, i cili dëshmon se atyre nuk u intereson dialogu në Bruksel, pasi që disa herë e kemi nisur këtë temë, dhe ata asnjëherë nuk kanë dashur që të bisedojnë për këtë”, tha Daçiç për mediat në Beograd.

vendimi per pronat Kosove

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb