NGA: FATMIRA NIKOLLI
Diktatura, u mbajt në këmbë jo vetëm nga diktatori e ministrat e tij. Ajo u ushqye çdo ditë nga mijëra zyrtarë, të tillë si ata që mund të kemi parë të shkulin flokët e të qajnë me fjalë e dihatje, vdekjen e tij. Titulli i këtij shkrimi, shpërfaq përshtypje që merr nga intervistat e dokumentarit “Fëmijët e diktaturës”. Ajo që më së shumti godet, për një punonjës të medias që ka marrë vetë dhe ka ndjekur dhjetëra rrëfime të tilla, duke nisur nga intelektualët te njerëzit e thjeshtë, është se armiqtë nuk qenë armiq vetëm për regjimin, ata qenë armiq edhe për joarmiqtë e regjimit- pra për pjesën tjetër të popullit. Nuk do të mund të shpjegohej ndryshe masakra e ndodhur. Qenë ata që spiunuan njëri-tjetrin, që plotësuan dosjet, e mandej që i treguan me gisht, a i panë vëngër. “Ne ishim armiqtë, sikur s’kishim të drejtë të hanim, na shihnin keq kur shkonim të blinim bukë e qumësht në dyqan”. Alma Liço rrëfen jetën në internim për shkak se gjyshi i shkolluar në Harvard qe pushkatuar. Ajo kujton jetesën në një objekt që i ngjante një nevojtoreje, parazitët e insektet që binin mbi trupin e saj, dhe frikën nga akuza si sabotatore kur në kooperativën që punonte u thanë domatet. Në vijim të rrëfimit mësohet se njerëzit jo vetëm që nuk kishin ç’të hanin, por me kalimin e kohës, neveria ndaj papastërtisë- zhbëhej. “Duhej të pinim ujë në atë pus. Aty mund të kishte bretkosa dhe shumë më tepër, por etja ishte aq e fortë, sa nuk e ndjeje më neverinë”.
simon miraka
“UNË ISHA ARMIKU DHE PLUMBI”
“Vota juaj është plumb për armiqtë e partisë”; kështu shkruhej ku unë shkoja të votoja. Pra vota ime, ishte plumb ndaj meje, sepse unë isha edhe armiku”, – thotë Liço. 26 vite më pas, asgjë nuk ka ndryshuar, madje, ende thuhet ‘busti’ dhe jo ‘shtatorja’ e diktatorit, e në këtë grackë ka rënë edhe vetë dokumentari, ku jo vetëm të intervistuarit, por edhe titrat e shënojnë si bust e jo si shtatore. “U gëzuam kur ra, por realiteti tregon që është rrëzuar vetëm busti. Politika në të gjithë krahët vuan nga mentaliteti komunist. E vetmja shpresë jeni ju të rinjtë”, – do thoshte Simon Mirakaj para spektatorëve të hënën në mbrëmje.

Në dokumentarin “Fëmijët e diktaturës”, rrëfimet sjellin copëza të realiteteve të tyre nëpër kampe, ku kanë kaluar fëmijërinë. Mungesa e ushqimit, dy vakte në vend të tri, rrethimet me tela me gjemba, urdhrat për t’u qëlluar në “lule të ballit” atyre që rrekeshin të kalonin rrethimin, janë veçse sfondi- ashtu si punët e rënda, ambientet e ngushta në kampe me shumë njerëz, trajtimi jonjerëzor, vënia në punë të vështira. Filmi sjell rrëfimet e katër të internuarve, të brezave të ndryshëm. Nuk ka narrator, lidhja e rrëfimeve është bërë e tillë, që prezantimi i personazheve bëhet me titra, ndërsa rrëfimtarët janë vetë të internuarit që shpalosin kohët e vendet, skamjen e regjimin. “Ne prisnim që së paku të na jepnin lëkurën e shalqinit, nuk po prisnim shalqi, por jo, as atë nuk na e jepnin. Një rast, një fëmijë vdiq në kamp dhe meqë nuk gjendeshin dërrasa për arkivolin, mamaja ime u dha djepin tim, që të shërbente si arkivol”. Simon Mirakaj, nuk përlotet kur flet për kujtime të trishta a rrëfen çaste të dhimbshme në kampin e Tepelenës, por përlotet një vajzë që ende nuk ka mbërritur pragun e të 40-ave, e njëjta që tregon se kur Enveri vdiq, ajo nuk mundi ta perceptonte si lajm të mirë. “Ne ishim ‘ata’, ne nuk ishim si të tjerët”,- thotë Ridvana Mena. E ulur përkrah të të vëllait, nëpër fshatra diku ndriçohet e diku mbetet e paqartë.

“Dokumentari ‘Fëmijët e diktaturës’ është një prodhim i IDMC me regji të Besnik Bishës që ka në qendër fatin e katër personazheve në mosha të ndryshme që lindën dhe kaluan fëmijërinë e tyre në burgje apo vendet e internimit: Simon Mirakaj, Alma Liço, Ridvana Mena dhe Lurian Mena. Ata u përkasin brezave të ndryshëm dhe sjellin për publikun shqiptar dhe të huaj një qasje autobiografike ndaj sistemit. Dokumentari synon të rrisë ndërgjegjësimin kryesisht të brezit të ri mbi pasojat e diktaturës mbi jetën e individit, ku edhe foshnjat dënoheshin sipas ligjeve të kohës si ‘armiq të popullit'”, thuhet në njoftimin e IDMC dërguar medias. Folësit në një bisedë pas shfaqjes thanë se kjo bëhet për herë të parë, megjithëse, në media ndër vite speciale, dokumentarë, emisione të tëra dhe intervista i janë kushtuar asaj që ka ndodhur në 45 vite diktaturë e në shumë prej tyre, Mirakaj ka zënë vend të konsiderueshëm, për shkak të historisë së familjes.

Asgjë e re nga fronti
26 vite më pas, nuk duket të ketë ndryshuar gjë. Dekomunistizimi mbetet ende plan, dhe autoriteti i dosjeve nuk e ka filluar punën. Ish-të përndjekurit, më së pari, flasin për komunistët e djeshëm që sot janë gardianë të demokracisë. “Ka njerëz të vuajtur, ka edhe xhelatë. Nuk mund të trajtohen njësoj, bashkëvuajtësit e bashkëfajtorët nuk mund të jenë një. Dinamika e lëvizjes demokratike na gjeti të gjithëve të papërgatitur, por mbas 26 vitesh bilancet janë negative për sa i përket integrimit të kësaj shtrese. Nuk i kemi marrë pronat dhe im atë ndërroi jetë në një dhomë 3 me 3”, – tha Alma Liço pas shfaqjes së dokumentarit.

Më e drejtpërdrejtë është Ridvana Mena: “Ne e mendonim ndryshe vendin në këtë kohë. U shuan shpresat me rënien e diktaturës, u bë si u bë. Askush nuk mbajti përgjegjësi për ato që ndodhën, askush nuk kërkoi falje. Shtetin e drejtojnë ata që janë përfshirë në krimet e komunizmit. Unë vij nga një familje me 12 të vrarë vetëm nga ana e babait e me dhjetëra nga ana e nënës. Lufta e klasave vazhdon ende sot dhe me gjithë këto që kanë ndodhur në familjen tonë, ne prapë themi se duhet të dënohen ata që vranë, jo fëmijët e tyre”.
(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: