Partia e Punës së Shqipërisë u transformua në PS në Kongresin e 10 të partisë, por formë ligjore ky vendim mori me urdhrin e ministrit të Drejtësisë më 15 gusht 1991. Portali “politike.al” zbardh dokumentacionin përkatës: kërkesën formale të Fatos Nanos drejtuar ministrisë së Drejtësisë për regjistrimin e statutit dhe programit të ri të PS-së dhe urdhrin e Shefqet Muçit që miraton këtë kërkesë. Statutet e Partisë Socialiste (PS) prej vitit 1991 publikohen për herë të parë në këtë portal dhe kanë vlerë me rëndësi publike dhe për vetë anëtarët e mbështetësit e saj. Përmes publikimit arrihet të kuptohen ndryshimet në vite, risitë si dhe problematikat e organizimit të brendshëm. Më poshtë, ju paraqesim një histori të shkurtër të evoluimit të dokumenteve statusore në PS. Partia Socialiste ka një histori aktive dhe të pasur të dokumentacionit statutor dhe të debateve mbi rregullat statutore. Prej vitit 1991, PS-ja përcaktoi parime organizimi me tendencë rritjen e strukturës së mesme partiake, – deputetëve, kryesisë, drejtuesve të degës, të zgjedhurve, etj, – dhe në mënyrë periodike i ka ndryshuar praktikat statusore duke eksperimentuar në varësi nga nevojat politike brenda saj.

Referuar numrit të dokumenteve që lidhen me statusin dhe rregulloren, PS mban numrin më të lartë në një parti politike shqiptare, gjithsesi ashtu si çdo parti tjetër, edhe PS ka diferenca midis deklarimeve statusore dhe zbatimit konkret të përgjegjësive që burojnë prej tyre. PS ka aplikuar parimin “1 anëtar – 1 votë” për zgjedhjen e kryetarit, ka aplikuar mocionet e mosbesimit, ka shkarkuar në të paktën dy raste stafet e larta drejtuese partiake, ka ndryshuar disa figura në hierarkinë e saj, ka eksperimentuar me ndarjen e posteve në qeveri dhe në parti apo me bashkimin e posteve partiqeveri, ka aplikuar kuota gjinore dhe rinore përfaqësimi, si dhe ka numrin më të lartë të dorëheqjeve dhe të konkurrencës reale në nivelet e larta drejtuese. PS, ashtu si PD, ka aplikuar modele të ndryshme statusore, dhe sidomos, sjellje të ndryshme ndaj përgjegjësive statusore midis periudhës që qenies në opozitë dhe periudhës së qenies në pushtet.

Në opozitë ajo është më kreative, më e hapur, më konkurruese, më horizontale në vendimmarrje, – në qeveri është më e mbyllur, më formale, më arrogante ndaj kritikave dhe më vertikale në vendimmarrje. Pafuqia për të krijuar mjedis demokratik dhe garanci statusore të realizueshme çoi në ndarjen e PS më 2004 dhe krijimin e një partie tjetër të së majtës, e cila pas bashkëqeverisje me të djathtën është kthyer në bashkëqeverisje më vetë PS në koalicionin e natyrshëm të së majtës. Debatet e brendshme partiake 1996, 1999, 2002, 2009 dhe 2016 janë elementë të shkollës politike për demokracinë e brendshme partiake në Shqipëri, por produkti i tyre politik ka qenë dhe mbetet kritik për cilësinë e demokracisë dhe aftësinë e PS për të jetësuar parime, të cilat janë të përcaktuar në statutet dhe aktet e tjera rregullatore të saj.

Vitet e fundit tendenca e PS është forcimi i natyrës vertikale të funksionimit, duke injoruar praktikat dhe detyrimet statutore për mbledhjen e forumeve, procesin konsultues dhe vendimmarrjen sa më horizontale, – një tipar i njëjtë i partive në pushtet (majtas e djathtas) gjatë gjithë periudhës së tranzicionit. Sfida kryesore e ardhshme e PS do të jetë përcaktimi i një qëndrimi parimor midis pritshmërisë për më shumë demokraci të brendshme partiake dhe sjelljes refuzuese ndaj saj, si dhe gjetja e mekanizmave afatgjatë që garantojnë zgjerimin cilësor të burimeve të saj njerëzore, ideore e politike përmes konkurrimit dhe promovimit mbi vlera, ide dhe platforma konkurruese brendapartiake. Marrë nga politike.al

(Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb