NGA Dashnor Kaloçi

Gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist të Enver Hoxhës, që nga viti 1945 e deri në vitin 1990-të, kur nisi dhe Lëvizja Studentore, në varësi të konjukturave e ngjarjeve politike që ndodhnin në arenën ndërkombëtare, Sigurimi i Shtetit nën udhëheqjen e PPSH-së ndërmerrte “zbulime”, arrestime dhe goditje “grupesh armiqësore”, të cilat pothuaj në më të shumtën e rasteve i inskenonte vetë, duke i paraqitur ato si mjaft të rrezikshme. Dhe si rezultat janë dënuar me ekzekutime, vite të gjata burgimi dhe internuar me qindra e qindra persona.

Në këtë kontekst, për gati katër dekada me radhë janë “zbuluar” dhe goditur mjaft të ashtuquajtura “grupe armiqësore” si psh., grupi i sabotatorëve të Kënetës së Maliqit dhe grupi i deputetëve, në 1946-’47, grupi i Abedin Shehut, Shyqëri Kellëzit etj., në vitin 1950, grupi i Dali Ndreut, Liri Gegës e Petro Bullatit si dhe grupi i Konferencës së Tiranës në 1956-ën (me Iljaz Ahmetin, Vehip Demin, Vandush Vinçanin etj.), grupi i Teme Sejkos në 1960-ën, grupi i Stavri dhe Thoma Rafaelit në 1963-in (ku bënin pjesë edhe Trifon Xhagjika, Robert Vullkani etj.), grupi i ushtarakëve që kundërshtuan heqjen e gradave në Ushtri në 1967-ën (me gjeneral-major Halim Xhelon, kolonel, Dilaver Radëshi etj.), grupi i Festivalit të 11 të Këngës në Radio-Televizion në 1972-in (me Mihallaq Luarasin, Edi Luarasin, Minush Jeron, Justina Aliajn, Bujar Kapexhiun etj.), grupi i Todi Lubonjës e Fadil Paçramit në art-kulturë në 1974-ën, grupi puçist në Ushtri në 1974-ën, me Beqir Ballukun, Petrit Dumen, Hito Çakon etj., grupi i arsimit në 1974-’75 me Thoma Deljanën, Mantho Balën, Hasan Dumën, etj., grupi i lopëve të Baldushkut në 1975-ën (Ndue Marashi, Rifat Daja, Agim Akçani etj.), grupi i sabotatorëve në ekonomi në 1975-’76-ën, me Abdyl Këllezin, Koço Theodhosin, Kiço Ngjelën, Vasil Katin etj., grupi i naftës në 1976-’77 me Koço Plakun, Lipe Nashin, Milto Gjikopullin etj., Grupi i Edip Ohrit, Sabri Pilkatit, Ali Kubatit etj. në 1980-ën, grupi i Mehmet Shehut, Kadri Hazbiut, Feçorr Shehut etj. në 1981-’82-in.

Grupi i kosovarëve në 1982-in (Namik Luca, Selim Kelmendi, Estref Kelmendi etj.), për të përfunduar në vitin 1986-’87-ën me grupin e Medi Çelikut, Bujar Jazexhiut etj. E gjitha kjo bëhej me qëllimin kryesor që ngjarjet apo konjukturat politike që ndodhnin kryesisht në arenën ndërkombëtare dhe në Shqipëri të parandaloheshin dhe të mos kishin ndikime e impaktin më të vogël tek të tjerët. Në këtë kontekst janë bërë arrestime, goditje dhe dënime edhe në vitin 1970-të, me të ashtuquajturin grupi terrorist i Kuksit (me Raif Elezin, Avdi dhe Bajram Gjanën etj.) dhe ai i Tepelenës (me Dervish, Izet dhe Daut Gumenin), për të cilat veç të tjerash bën fjalë edhe ky dokument arkivor që po publikojmë më poshtë në këtë shkrim ekskluzivisht për “Gazeta Shqiptare”.

Ish-kryetari i Degës së V të Sigurimit të Shtetit, me anë të një buletini “Tepër Sekret” informon udhëheqjen e lartë të PPSH dhe personalisht Hysni Kapon për zbulimet, arrestimet dhe dënimet që janë bërë në vitin 1970.
gjyqi-kadri-hazbiut-1-0021

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË SEKRET
MINISTRIA E PUNËVË TË BRENDSHME EKZEMPLAR NR. 1 DREJTORIA E PARË TIRANË MË 12.6.1970
NR. 2415
BULETINI Nr.1

– Në muajin dhjetor 1969 përfunduan hetimet në drejtim të grupit armiqësor të rrethit Kukës, që përbëhej nga 11 të pandehur. Në muajin mars 1970, çështja u gjykua nga gjykata e rrethit Kukës, e cila në seancë të hapur gjyqësore dhe me pjesëmarrjen e masave punonjëse, demaskoi veprimtarinë e tyre armiqësore, duke dënuar të pandehurit: Raif Elezi me 15 vjet heqje lirie, Bajram Gjanën me 13 vjet, Avdi Gjanën me 9 vjet, ndërsa të tjerët me afate të shkurtra burgimi. Gjykimi provoi plotësisht se të pandehurit në bashkëpunim me njëri- tjetrin kishin zhvilluar agjitacion dhe propagandë kundër pushtetit popullor, duke diskutuar edhe për organizimin e një kryengritje të armatosur në rrethin e Kukësit, ishin përgatitur për të kryer akte terrori kundër Udhëheqjes së Partisë dhe të Shtetit e mbanin armë zjarri e lëndë eksplozive.

-Në këtë proces u implikuan 27 persona ndaj të cilëve, paralelisht me hetimin, mbasi u bë diferencimi, u bë këshillimi, u pyetën si dëshmitarë, u demaskuan dhe masa të tjera operative.

-Në muajin prill 1970, Gjykata Popullore e rrethit të Tepelenës dënoi me 25 vjet heqje lirie të pandehurin Izet Gumenin nga katundi Gusmar, për arsye se në dhjetor 1945, në bashkëpunim me bandën e kriminelëve Lahe Nuro, Izet Vrazhdo dhe Ahmet Kuka kanë marrë pjesë në kryerjen e aktit të terrorit, duke vrarë Sekretarin e Partisë të Kurveleshit, Selman Lamen.

-Po kjo gjykatë dënoi me 15 dhe 8 vjet heqje lirie të pandehurit e tjerë, Dervish dhe Daut Gumenin, të cilët në bashkëpunim me të pandehurin Izet zhvillonin agjitacion dhe propagandë kundër pushtetit popullor dhe se nuk kishin treguar aktin e terrorit që kishte kryer ky i fundit, për të cilin ishin vënë në dijeni kohë më parë.

Shkrimin e plotë e lexoni në Gsh.al:

http://www.gsh.al/2017/11/20/ekskluzive-dokumenti-sekret-si-u-denua-daut-gumeni-te-vellane-dhe-kusheririn-te-akuzuar-per-akte-terrori/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: