TIRANE- Më 28 Dhjetor 2015, ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj ka firmosur një urdhër që u heq të drejtën të gjitha spitaleve rajonale anembanë vendit për të realizuar procedura tenderimi mbi shumën e 800 mijë lekëve për blerjen e barnave ose të materialeve mjekësore.

Urdhri i firmosur nga Beqaj është përqendrim dhe monopolizim i paprecedentë i kompetencave të spitaleve rajonale, të cilat jo shumë vite më parë fituan disa të drejta për vetë-menaxhimin e tyre në kuadër të procesit të decentralizimit dhe rritjes së efiçencës.

Beqaj ka ngritur një Grup-Pune që do të shërbejë si njësi prokuruese për të gjitha spitalet, do të jetë kjo njësi që do të marrë kërkesat e spitaleve mbi nevojat që ato kanë për barna dhe mjete spitalore dhe më pas i njëjti Grup-Pune do të zhvillojë dhe procedurat e tenderimit për të gjitha ato blerje që janë mbi 800 mijë lekë.

Në grupin e punës prej 4 personash spikat dhe prezenca e zonjës Shpresa Bello, e cila është dhe kunata e Drejtoreshës së Përgjithshe të Tatimeve Briseida Shehaj.

Beqaj ka firmosur këtë urdhër vetëm dy ditë para festimeve të Vitit të Ri 2016 dhe ngjarja ka kaluar pa shumë bujë, por efektet kanë nisur të ndihen.

Zbatimi i këtij urdhri ka nisur të shkaktojë dhe vonesat e para në furnizim, por nuk është kjo më e rëndësishmja, pasi urdhri po krijon monopolizimin në një grusht biznesmenësh për barnat dhe mjetet spitalore.

Ky urdhër i Beqajt erdhi vetëm pak kohë pasi ai suprimoi dhe shkriu disa qindra vende pune në spitalet rajonale, ndërsa paralelisht Beqaj vijon me instensifikimin e koncensioneve në shëndetësi duke ua dhënë privatëve shërbimet.

Pas suprimimit dhe shkrirjes së qindra vendeve pune në spitale dhe përqendrimit të tenderave në një grusht njerëzish që janë të besuarit e tij dhe kryeministrit, Beqaj ka goditur dhe tkurrur mundësitë dhe funksionet e këtyre spitaleve të cilat po trajtohen sikur të ishin qendra shëndetësore të ndonjë fshati me 150 banorë. / HashtagAL
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: