Nga: Chris CILLIZZA

Presidenti Donald Trump mbajti fjalimin e tij të parë përpara kombit amerikan në martën në darkë, një fjalim shumë i gjatë në të cilin kryesisht përmendi arritjet e tij në vitin e parë në Zyrën Ovale dhe ofroi disa propozime të cilat do t’i konsiderojë vitin e ardhshëm, shkruan CNN.

Trump premtoi një ‘moment të ri amerikan’ në fjalimin e tij por në fakt theksoi mosmarrëveshjet e thella në zemër të politikës së vendit.

Ndërsa është e rëndësishme të mos analizohet se çfarë do të thotë fjalimi për presidencën Trump – viti i parë në Shtëpinë e Bardhë sugjeron se ajo që Trump thotë një ditë ka shumë pak kuptim në lidhje me atë që do bëjë më vonë.

‘Amerika e Para’
Trump kandidoi dhe fitoi me idenë se gjithmonë do vinte vendin e tij në plan të parë. Dhe ndërkohë në gjysmën e parë të fjalimit të tij, Trump nuk përmendi asgjë tjetër përveç politikës së brendshme, uljen e taksave, ekonominë, tregtinë, reformat rregullatore, emigracionin, por asgjë për vendin e Amerikës në botë. Sinjali është i qartë: Trump nuk po e përdor moton e tij “Amerika e para” thjesht si pjesë të retorikës, ai po fokusohet gjithashtu ta bëjë politikë realiteti.

Bashkëpunimi mes dy partive nuk po ndodh
Në momentet e para të fjalimit të tij, Trump bëri disa thirrje që republikanët dhe demokratët të punojnë së bashku.

“Sonte, ju bëj thirrje të gjithëve që të lëmë mënjanë dallimet tona, të kërkojmë terren të përbashkët dhe të bashkohemi që t’u japim njerëzve që na kanë zgjedhur për të shërbyer atë që meritojnë” tha Trump.

“Nëse punoni shumë, nëse besoni në veten tuaj, nëse besoni tek Amerika, atëhere mund të ëndërroni çdo gjë, mund të bëheni çdo gjë dhe së bashku mund të arrijmë çdo gjë” shtoi lideri republikan.
Fjalimi i arritjeve

Shumica e fjalimeve të tilla ndahen në arritjet e shkuara dhe prezantimi i një vizioni për qeverisjen në të ardhmen.

Fjalimi i Trump ishte 80% për atë që ka bërë dhe 20% se çfarë dëshiron të bëjë në të ardhmen. Vetëm pas një ore fjalim, Trump përmendi një propozim –një projektligj masiv infrastrukture – që dëshironte që

Kongresi ta shqyrtonte – dhe një propozim për emigracionin
Por propozimet dhe listat e dëshirave nuk ishin në plan të parë në fjalimin e Trump. Ajo që ishte kryesore për të ishte të përmendte të gjitha gjërat që ai beson se ka realizuar me sukses.

Trump kundër ligjeve të Obamës
Trump ka kaluar vitin e parë të qeverisjes duke shfuqizuar urdhrat e paraardhësit të tij Obama.
Ai shfuqizoi programin për emigrantët e rinj, të ashtuquajturit “Ëndërrimtarët”, kërkoi një shfuqizim të mandatit individual, dhe të martën në darkë shpalli planet e tij për të mbajtur të hapur burgun në Gjirin e Guantanamos në Kubë, një kundërshtim i drejtpërdrejtë i premtimit të Obamës për mbylljen e burgut.

Çfarë nuk u përmend ne fjalim
Trump nuk përmendi asnjëherë në fjalimin e tij hetimin e prokurorit special Robert Mueller mbi ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të 2016 dhe bashkëpunimin e mundshëm të zyrtarëve rus me ekipin e fushatës së tij.

Në fakt Trump e përmendi fjalën ‘Rusi’ vetëm një herë:
“Në të gjithë botën ne përballemi me regjime mashtruese, grupe terroriste dhe rivalë si Kina dhe Rusia që sfidojnë interesat, ekonominë dhe vlerat tona” tha lideri republikan.

Nuk është shumë e çuditshme që Trump, në një fjalim rreth bashkimit dhe bashkëpunimit mes partive, nuk përmendi një hetim që po gërryen shpirtin e Uashingtonit politik. Megjithatë ishte një mungesë që ra në sy, sidomos nëse marrim parasysh që Trump foli për 80 minuta dhe përmendi virtualisht çdo temë tjetër të mundshme.
(Përktheu për BalkanWeb/Aleksandra Kola)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb