Nga: Franck Iovene

UASHINGTON– Dy miliarderë, të apasionuar pas femrave, pa eksperiencë politike para se të vinin në pushtet, parë nga Italia, profilet e Donald Trump dhe Silvio Berlusconi paraqesin shumë ngjashmëri, por me ndonjë nuancë të vogël.

“Ne e kemi parë më përpara një Donald Trump. Ai quhet Silvio Berlusconi”, shkruante para disa ditësh historiani britanik John Foot në faqet e të përditshmes britanike “The Guardian”.

Në artikullin e tij, ky specialist i historisë Italiane bën një përmbledhje të pikave të përbashkëta mes presidentit të ri të SHBA-së, 70 vjeç, dhe të ish-kryeministrit italian, 10 vite më i madh.

Nga faqet e historisë del se të dy kanë bërë pasurinë e tyre në botën e sipërmarrjes, se të dy kanë pasur probleme me administratën fiskale, një dënim për mosdeklarim të ardhurash, në vitin 2013, i dha fund karrierës së ish-Cavaliere-s dhe se kanë qenë protagonistë të skandaleve të lidhura me raportin e tyre me femrat.

Disa studiues theksojnë gjithashtu afërsinë e tyre me presidentin rus, Vladimir Putin.

“Janë krerë të kompanive të pasurive të patundshme ose mediatike që medojnë se një vend mund të drejtohet si një kompani”, shpjegon profesori itlian i komunikimit politik, Michele Sorice.

Votuesit i ndoqën, duke gjykuar në të dyja rastet se një personalitet i botës së sipërmarrjes, jashtë klasës politike, ishte i vetmi që mund të rregullonte situatën e një vendi, përballë një klase politike të korruptuar në Itali, apo të shkëputur nga realiteti në SHBA.

“Që të dy janë gjithashtu populistë që pozicionohen në krahë të popullit dhe kundër një elite të përbërë nga intelektualë dhe gazetarë, një strategji që i mundësoi Silvio Berlusconi-t që të vinte në pushtet për herë të parë në krye të qeverisë italiane në vitin 1994”, vazhdon Sorice.

Për revistën prestigjoze “The Economist”, “Silvio Berlusconi, ashtu si Donald Trump, ka përfituar nga një mbështetje e fuqishme e ekstremit të djathtë të ish-partisë neo-fashiste dhe të Ligës së Veriut, lëvizje italiane e moderuar që më pas u bë ksenofobe dhe proteksioniste duke filluar nga vitet 1990”.

Në një artikull të publikuar dje, ku përmendet “egoja e tyre legjendare”, e përditshmja britanike thekson “shijen e shfaqur haptas nga dy burrat për shakatë e tavolinave, duke shprehur njëkohësisht dashurinë për gratë që duket se i gjykojnë vetëm nga fiziku i tyre”.

“Trumpusconi”

Në rrjetet sociale, paralelet mes personaliteteve të fryrë dhe gjuha pranë popullit e dy krerëve janë shtuar gjatë gjithë fushatës amerikane. Dhe fjala kyçe #Trumpusconi është përdorur me bollëk që prej shpalljes, së martën, të fitores së Donald Trump.

Përdoruesit e internetit krahasojnë shkatë tyre seksiste, incidentet diplomatike, imazhin e keq ndërkombëtar, duke theksuar se diferenca e vetme është që Trump ka armën bërthamore.

Por këto nuk janë të vetmet përafrime, vlerëson Michele Sorice. Pasi nëse dy krerët konsiderohen “self-made-men”, Trump ka përfituar nga pasuria e babait të tij në fillimet e veta që nuk është rasti për Silvio Berlusconi-n që i është nevojitur të kalojë nga punët e vogla në fillim.

Gjatë fushatës së tij, ish-kandidati republikan e ka pranuar se babau i ka dhënë hua një milion dollarë për të hyrë në botën e sipërmarrjes. Ai sot ka arritur të bëjë një mijë herë më shumë, por sipas revistës “Forbes” pasuria e tij nuk kalon pesë miliardë dollarë.

Ish-Cavaliere tregon nga ana e tij se ka qenë fotograf nëpër ceremoni apo këngëtar nëpër orkestra, ku punonte kryesisht nëpër anije për kroçera.

Një tjetër diferencë mes dy burrave, Donald Trump nuk është në krye të një perandorie mediatike ndërkohë që Berlusconi kishte në kontroll gati të gjitha kanalet kombëtare televizive private kur hyri në politikë. Një pozicion që e ndihmojë shumë në këtë rrugë.

Donald Trump është mjaftuar që të drejtojë për dhjetë vite një “reality show” shumë të ndjekur në SHBA, “The Apprentice”, që pak a shumë ka ndikuar që t’i rrisë famën. (ATA)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: