Presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi të martën se takimi i tij me udhëheqësin e Phenianit Kim Jong Un mund të mos zhvillohet siç është planifikuar; por ai theksoi se beson se udhëheqësi i Koresë së Veriut është “serioz” në lidhje me çarmatimin bërthamor.

Gjatë takimit të tij në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin e Koresë së Jugut Moon, zoti Trump bëri pak për të shuar spekulimet rreth takimit të parë historik mes udhëheqësve të SHBA-së dhe Koresë së Veriut, caktuar për t’u mbajtur muajin e ardhshëm në Singapor.

“Mund të mos ndodhë në 12 qershor” tha zoti Trump, duke shtuar se “nëse nuk ndodh atë ditë, ndoshta do të ndodhë më vonë”.

Politikisht, zoti Trump ka investuar shumë në suksesin e takimit. Por, ndërsa data po afrohet, dallimet ndërmjet dy palëve dhe pritshmëritë tejet të larta po bëhen më të qarta.

Suksesi mund të çojë në paqe në gadishullin Korean dhe t’i japë fund kërcënimit të për luftë bërthamore. Dështimi mund të shkatërrojë të gjitha shpresat për një zgjidhje paqësore të krizës.

“Nuk dimë nëse do të ketë marrëveshje” tha zoti Trump. “Unë kam bërë shumë marrëveshje, por nuk i dihet”, tha ai./voa
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb