Dragan Sikimiç, i caktuar së fundmi si drejtor i Agjencisë Anti-Korrupsion në Serbi, një organ i pavarur shtetëror i ngarkuar në monitorimin e financave të partive, sipas zbulimeve të BIRN ka në fakt lidhje të afërta me Partinë Progresive në pushtet.

Sikimiç ishte në listën e progresivëve në zgjedhjet lokale në Zemun në vitin 2016 dhe po ashtu ka qenë anëtar i Komisionit Zgjedhor për Bashkinë e Zemunit, propozuar nga Partia Progresive.

Emri i Sikimiç ishte ndër dhuruesit e 40,000 dinarëve për Partinë Progresive në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar, sipas të dhënave nga Agjencia Anti-Korrupsionit.

Dhjetorin e kaluar, agjencia që Sikimiç tani do të drejtojë kërkoi kontroll mbi transaksionet e bëra gjatë fushatës presidenciale të Vuçiçit, me dyshime për donacione të paligjshme.

Një investigim i BIRN zbuloi në tetor 2017 se rreth 7,000 individë dhanë 40,000 dinarë – rreth 320 euro – për progresivët për zgjedhjet presidenciale.

Investigimi zbuloi se si progresivët përdorën donatorët të deleguar për të maskuar burimin e vërtetë të dhuratave të fushatës – të paligjshme sipas ligjit serb për financimin e aktiviteteve politike.

Administrata për Parandalimin e Pastrimit të Parave në vitin 2014 gjeti 135 transaksione bankare, ku njerëzit kishin depozituar 40,000 dinarë në llogaritë e tyre dhe pastaj e kishin transferuar menjëherë shumën te progresivët në formë të një donacioni, përpara zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2014.

Gjatë zgjedhjeve të 2012 dhe 2014, mediat raportuan se partitë politike morën donacione nga personat në asistencë shoqërore, duke ngritur dyshime se ata kishin shërbyer për të fshehur donatorët e vërtetë.

Agjencia Anti-Korrupsion kërkoi një hetim për ato donacione, me dyshimin se disa prej tyre vijnë nga aktivitete të paligjshme, përfshirë pastrimin e parave.

BIRN kontaktoi Sikimiç dhe Partinë Progresive për koment, por nuk mori përgjigje në kohën e publikimit.

Bordi i Agjencisë Anti-Korrupsion në një njoftim për shtyp të premten tha se nuk kishte dijeni për lidhje të Dragan Sikimiç dhe Partisë Progresive Serbe. Bordi shtoi se edhe po të ekzistonte një informacion i tillë, kjo nuk do të ndikonte në vendimin e tyre.

Agjencia Anti-Korrupsionit nuk pati drejtor që nga 13 nëntori 2017, kur Majda Krsikapa dha dorëheqjen për arsye të panjohura. /Birn/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: