TIRANE – Presidenti i Federatës së Peshëngritjes, Elez Gjoza, është nisur dje drejt Athinës me urgjencë për të zhvilluar një takim me Luan Shabanin, trajnerin e Kombëtares Shqiptare të Shtangës.

Kreu i Federatës sqaroi se nuk mund të flasë më shumë se sa duhet deri sa të dalin edhe përfundimet e testit B për të tre sportistët që rezultuan pozitiv në testin e parë antidoping, por gjithsesi këmbëngul se institucioni që drejton ka bërë maksimumin dhe ka punuar ndershmërisht që të arrihen rezultate maksimale në Botërorin e Kazakistanit.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Gjoza deklaroi se, pas takimit me Luan Shabanin, do të ketë edhe një takim me drejtuesit e lartë të Federatës Botërore të Peshëngritjes.

“Sot kemi dy kampionë bote dhe një Europe që kanë dalë me doping… Së pari, duhet të jemi të kujdesshëm në termat që përdorim. Të tre sportistët në fjalë janë nën hetim për përdorim substancash të ndaluara, sepse deri sa të dalin edhe përfundimet e testit B, nuk mund të flitet me kompetencë. Pra, deri në atë moment nuk mund të thuhet zyrtarisht se sportistët tanë janë të dopuar. Ndaj do t’ju lutesha që të keni durim që të gjithë deri në atë moment”- ka thënë ai.

Romela Begaj, Daniel Godelli dhe Hysen Pulaku kanë rezultuar pozitiv në testin e parë antidoping. Federata Botërore e Peshëngritjes në faqen e saj zyrtare raporton se testi i marrë nga Godelli, Begaj dhe Pulaku, ka evidentuar gjurmë të substancës së ndaluar stanozolol.

Federata Shqiptare  e Peshëngritjes tha se do të priten përgjigjet e testit B për të konfirmuar plotësisht nëse këta sportistë kanë përdorur apo jo doping. Sipas Federatës, nëse konfirmohet zyrtarisht se kanë përdorur doping atëherë do të nisin dhe hetimit nga ana e kësaj federate lidhur me këta sportistë.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: