TIRANE- Komiteti Olimpik Kombetar Shqiptar ka reaguar pas skandalit të dopingut të paktën në tre raste të peshëngritësve shqiptarë, fitues të medaljeve Botërore e Europiane. Ndërsa kërkon që përdorimi i dopingut të cilësohet si një vepër e dënueshme me ligj, kreu i KOKSH, Viron Bezhani kërkon informacione të detajuara nga FSHF-ja për rastet në fjalë.
“Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar del me këtë Deklaratë për Shtyp me një qendrim shumë të prerë ndaj situatës së krijuar javën e fundit, me 3 raste të dopingut në sportin e Peshëngritjes, sidomos kur bëhet fjalë për 3 peshëngritës, fitues të medaljeve Botërore dhe Europiane. Për këtë arsye, Komiteti Ekzekutiv i KOKSH i kërkon me urgjencë një informacion sa më të detajuar Federatës Shqiptare të Peshëngritjes në lidhje me çështjen në fjalë, për përdorim substancash të ndaluara nga sportistët e dyshuar. Duke patur parasysh gjendjen e krijuar në peshëngritjen shqiptare për shkak të dopingut, pasi ky fenomen prej vitesh po shfaqet në këtë sport, mendojmë se duhet të mblidhet urgjentisht si Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Brendshme ashtu dhe Ministria e Shëndetësisë për ta futur përdorimin e dopingut nga sportistët në sport në kodin penal, si një vepër të dënueshme ligjërisht nga shteti. Dhe sqarojmë se këtë propozim e bëjmë nisur dhe nga praktikat dhe eksperiencat e shteteve të tjera për çështjet e dopingut”, thuhet në deklaratë.
Në deklaratë theksohet se Komisioni Antidoping duhet të funksionojë pranë Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, “pasi ky organizëm është i pavarur dhe si i tille funksionon në shumë vende të botës I atashuar pranë Komitetit Olimpik”.

“I bëjmë thirrje të gjithë sportistëve që të bëjnë një sport të pastër dhe të shëndetshëm. Nxisim Federatat sportive të zhvillojnë programe edukative dhe fushata sensibilizimi në luftën kundër dopingut dhe promovimit të sportit të shëndetshëm dhe të pastër. Institucionet sportive duhet të bashkëpunojnë më shumë në krijimin e një sistemi kontrolli dhe të pavarur në mënyrë që fenomeni i dopingut në sportin shqiptar të mos jetë kulturë e përfaqësimit të sportit dhe për vendin tonë imazhi i keq dhe i njollosur i dopingut. Sot të gjithë duhet të dinë që Dopingu është në luftë të hapur me etikën, vlerat dhe moralin e sportit”, përfundon deklarata.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb