TIRANE- Deputeti Tom Doshi në një status të tijin në Facebook shprehet se do ti kërkojë prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla hetim ndërkombëtar për çështjen në ngarkim të tij, me pretendimit se hetimi është dekonspiruar. Lidhur me akuzat drejtuar kreut të Kuvendit, Doshi fton edhe Metën të kërkojë të njëjtën gjë.

“Kam informacione që hetimet që po bëhen për akuzat e mia ndaj Metës janë të dekonspiruara. Një shoqe e Monikës raporton cdo ditë për ato që ndodhin aty. Pavarësisht se unë nuk i paragjykoj hetimet, konstatoj se ato po nxitohen me qëllim, për tu mbyllur shpejt, pa arritur ti bëhet një zbërthim shkencor cdo fakti. Do ti kërkoj që nesër me shkrim Prokurorit të Përgjithshëm që të kërkojë ekspertizë ndërkombëtare për hetimet”, thotë ai.

Në statusin e tij Doshi shprehet se ka informacione që Toni i “Viva” ka njohje me Ilir Metën dhe se ka ardhur në Shipëri me garancinë që nuk do arrestohet. Deputeti hedh akuza edhe për babain e Ilir Metës. Sipas Doshit, Rexhep Meta ka porositur një ish-oficer nga Skrapari që të vriste Doshin.

Më tej, ai sqaron se Berishën e ka kundërshtar politik dhe se kurrë nuk do të bashkëpunojë me të.

STATUSI I PLOTË I TOM DOSHIT
Sic e keni ndjekur, unë po vazhdoj me forcë, pavarësisht se i braktisur nga Partia ime dhe Qeveria, rrugën e vështirë të denoncimit dhe faktimit të një akti terrorist për të vrarë dy deputetë nga Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë.
Dua të ndaj me ju disa fakte dhe shqetësime lidhur me këtë proces, dhe dua të deklaroj disa vendime të miat.
E para, dua të hedh poshtë me vendosmëri akuzat që serviren kundër meje se gjoja jam në bashkëpunim me Sali Berishën dhe PD. Tom Doshi nuk ka bashkëpunuar kurrë me Sali Berishën në të shkuarën, dhe nuk do të bashkëpunojë në të ardhmen me këtë person. Jam kundërshtar politik me Sali Berishën dhe kështu do të mbetem.
E dyta, kam informacione që hetimet që po bëhen për akuzat e mia ndaj Metës janë të dekonspiruara. Një shoqe e Monikës raporton cdo ditë për ato që ndodhin aty. Pavarësisht se unë nuk i paragjykoj hetimet, konstatoj se ato po nxitohen me qëllim, për tu mbyllur shpejt, pa arritur ti bëhet një zbërthim shkencor cdo fakti. Do ti kërkoj që nesër me shkrim Prokurorit të Përgjithshëm që të kërkojë ekspertizë ndërkombëtare për hetimet. Në kushtet që Prokurori i Përgjithshëm dhe ai i Krimeve të Rënda kanë ngjallur dyshime për mua, se bashkëpunonin me të akuzuarit, rezultatet janë të kompromentuara. Akuza që unë kam bërë ndaj Ilir Metës është shumë e rëndë. Ajo duhet gjykuar nga një grup prokurorësh shqiptarë dhe të huaj, ashtu sic u hetua dosja e Azem Hajdarit, me europianë e amerikanë, që kanë experiencë dhe neutralitet ndaj të hetuarve. Idea që ka dhënë sot një eurodeputet është e mirëpritur prej meje dhe më jep shpresë se ndërkombëtarët duan zbardhjen e këtyre akuzave. Që shqiptarët të kenë besim tek drejtësia, hetimi me ndërkombëtarë është detyrë e shtetit. Le të përgjigjet Ilir Meta nëse është dakord që të ftohen zyrtarisht prokurorë të huaj të hetojnë këto akuza. Le t’ja kërkojë dhe ai zyrtarisht këtë gjë Prokurorit të Përgjithshëm.
E treta, kam degjuar sot se Fatjon Skënderi paska ardhur në Tiranë me garanci nga shteti se nuk do arrestohet, për të folur në Prokurori. Cili shtet jep një garanci të tillë? Pse trajtohet ky person ndryshe nga Durim Bami? Mos ka ndikuar Ilir Meta që drejtësia ti ofrojë këtij garanci? Media ka fshehur qëllimisht historinë kriminale të Tonit. Nga informacionet që më ka sjellë sot një deputet i maxhorancës në Kuvend, rezulton se Fatjon Skënderi është i dënuar për trafik ndërkombëtar droge nga gjykata shqiptare. Shkalla e parë dhe Apeli i kanë dhënë 13 vjet burg për të vuajtur 9 vjet, meqe e kishte pranuar akuzën. Gjykata e Lartë ja uli dënimin në 4 vjet. Ky person është dënuar në Shkallë të Parë dhe nga Gjykata Italiane me 17 vjet burg para pak kohësh, dhe çështja është akoma në Apel. Prokuroria dhe Ministria e Drejtësisë duhet të informojnë dhe informohen nga autoritetet italiane për këtë person të rrezikshëm.
Ilir Meta ka mohuar njohjen me këtë person, por mua ma ka pranuar njohjen dhe takimin tek lokali ‘VIVA’. Prokuroria për të provuar këtë gënjeshtër duhet të verifikojë me kujdes tabulatet e Tonit në kohën kur trafikonte drogë në Kosovë dhe Itali. Sa herë ka folur ky person me Monika Kryemadhin në këtë periudhë? Është detyrim para shqiptarëve që këto gjëra të zbardhen njëherë e përgjithmonë. Toni i Metës dhe i Monikës ka bërë dhe porosi të tjera për vrasje, të cilat fatkeqësisht janë finalizuar në krim. Së shpejti ai duhet të sqarojë se kush ka qënë porositësi i vrasjeve të tjera. Njerëzit po e vrasin frikën dhe kanë filluar të tregojnë më shumë se sa dimë deri tani.
E katerta, jam informuar nga një i njohuri im, se në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dje është bërë një kallzim penal nga Petrit Cinari, një ish oficer nga Skrapari. Në këtë kallzim është deklaruar se babai i Ilir Metës, rreth 1 vit e gjysëm më parë, e ka thirrur Petritin në Gjirin e Lalzit dhe i ka kërkuar atij me porosi të Ilir Metës, që të vrasë Tom Doshin. Ky person paska punuar bashkë me Rrexhep Metën në ushtri dhe paska qënë qitës i shkëlqyer. Pas rikthimit të tij nga Amerika, babai Ilirit e paska gjetur, ftuar në Gjirin e Lalzit dhe bërë ofertën makabre, e cila duket se nuk ështe pranuar nga Petriti. Ky person, me guximin e lavdërushem qytetar ka shkuar me vullnetin e tij të lirë dhe ka denoncuar këtë porosi të re vrasjeje. Këtë informacion mund ta konfirmoje Prokuroria. Ky person menjëherë duhet mbrojtur si dëshmitar i drejtësisë. Nga disa media, analiste apo politikej, jam i habitur që vazhdojnë flasin për personin tim negativisht, sikur unë jam kriminel ..Unë nuk kam pasur dhe nuk kam asnjë problem me drejtesinë ,prandaj i bëj thirrje këtyre personave të ndalin këto sulme të padrejta ndaj meje, pasi duhet të marrë fund politika e shpifjeve në vendin tonë. Unë do të vazhdoj të bëj publike, sipas rastit, të vërteta që unë mendoj se nuk dëmtojnë hetimin dhe se ndihmojnë daljen e së vërtetës.
Ju falenderoj për mijëra mesazhe që më keni dërguar këto ditë. Ju jam mirenjohes.
TOM DOSHI

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: